Bota

Vrasja e Charlie Kirk-ut, Amerika gati për funeralin show/Trump mes pjesëmarrësve!

Amerika po përgatitet t’i bëjë homazhe Charlie Kirk-ut, me një ceremoni masive që shkon përtej lamtumirës tradicionale. Funerali i aktivistit konservator, i cili u vra më 10 shtator ndërsa fliste para studentëve në Universitetin e Utah Valley-t, mbahet sot në State Farm në Glendale, Arizona. Stadiumi do të presë qindra mijëra njerëz, në një atmosferë të tensionuar, por të mbrojtur nga masa të rrepta sigurie.

“Ndërtimi i një Trashëgimie: Duke Kujtuar Charlie Kirk”-un, fillon më 20:00 me orën tonë (11:00 atë lokale). Ceremonia përfshin pjesëmarrjen e Donald Trump-it, J.D.Vance-it, Robert F.Kennedy Jr-it, Tulsi Gabbard-it, Pete Hegseth-it, Stephen Miller-it, Sergio Gor-it e të tjerë zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.

Shfaqje muzikore do të interpretohen nga Chris Tomlin, Brandon Lake, Phil Wickham e Kari dhe Cody Carnes. Erika Kirk, e veja e aktivistit pritet të prezantojë fjalimin e Trump-it e zyrtarisht do të marrë udhëheqjen e Turning Point USA.

Trupi i Kirk-ut u transportua në Arizona me avionin Air Force Two, me kërkesë të zv.presidentit Vance. Lidhur me hetimin, deri më tani, FBI-ja ka përjashtuar çdo lidhje midis vrasësit Tyler Robinson dhe grupeve radikale të krahut të majtë.

Hetimi për vrasjen e Charlie Kirk-ut iu besua autoriteteve federale. Sipas raportimeve të NBC-së e të konfirmuara nga të tjera burime, ende nuk ka dalë një provë që e lidh Tyler Robinson-in me grupe të krahut të majtë ose lëvizje radikale.

Megjithatë, duket se motivet e agresorit janë personale dhe ideologjike. Thuhet se i shkroi partneres së tij se “i kishte ardhur në majë të hundës urrejtja e Kirk”, duke e konsideruar ideologjinë e Kirk-ut “ofenduese”. Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë çdo rrezik të mundshëm që lidhet me funeralin, por deri më tani nuk janë raportuar kërcënime të besueshme. Policia lokale, në bashkëpunim me Shërbimin Sekret, po e mban zonën nën mbikëqyrje të fortë.

Një vdekje që përçan opinionin publik amerikan

Pavarësisht dënimit unanim të vrasjes në të gjithë spektrin politik, episodi e ka thelluar më tej përçarjen tashmë të thellë në opinionin publik amerikan. Disa përfaqësues demokratë bënë thirrje për përmbajtje dhe kërkuan të shmangen protestat gjatë funeralit, për të shmangur nxitjen e tensioneve të mëtejshme.

Por, në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë republikane për të nderuar kujtimin e Kirk-ut u rrëzua nga 58 përfaqësues demokratë, duke nxjerrë në pah edhe përçarjet në nivel institucional.

Dhjetëra teori konspiracioni po qarkullojnë në mediat sociale, nga akuzat kundër Izraelit, te aktivistët transgjinorë, te Groypers e ekstremit të djathtë, por pa u konfirmuar nga hetimet zyrtare. Presidenti amerikan Trump e drejtoi gishtin nga “e majta radikale” duke kritikuar ashpër demokratët që votuan kundër një rezolute të Dhomës së Përfaqësuesve që nderonte Kirk-un.

Kush mund të votojë kundër një dënimi për një vrasje, deklaroi ai.

Ndërkohë, administrata ka ndërmarrë veprime kundër atyre që bënë komente fyese në lidhje me rastin. Komediani Jimmy Kimmel u pezullua nga ABC, disa të huaj përballen me revokimin e vizave dhe dhjetëra mësues e gazetarë janë pushuar nga puna. Këto masa, që gjerësisht shihen si një kërcënim për lirinë e shprehjes, po nxisin një debat të ripërtërirë mbi Amendamentin e Parë në Shtetet e Bashkuara.