Sport

Goli më i shpejtë në historinë e Europianit nuk i mjafton Shqipërisë, kuqezinjtë munden me përmbysje nga Italia!

Shqipëria është mundur në ndeshjen e parë të Europianit përballë Italisë me rezultatin 2-1 në Dortmund.

Sfida nisi mjaft mirë për kuqezinjtë e Sylvinhos, të cilët gjetën golin me Bajramin që shënoi që në sekondën e 22, duke realizuar kështu dhe golin më të shpejtë në historinë e një kampionati Europian.

Gjithsesi kjo gjë nuk i mjaftoi Shqipërisë, me Italinë që gjeti dy gola shumë te shpejtë me Bastonin dhe Barellën në minutat 11’ dhe 16’.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë tentuan të shënonin, kur iu afruan më shumë me Manajn në minutën e 90’, por topi përfundoi jashtë kuadratit.

Kështu Italia shkon në kuotën e tre pikëve, ndërsa Shqipëria do të tentojë të arrijë maksimumin përballë Kroacisë më 19 qershor, ora 15:00 në Hamburg.