Celebrities

“Grammy Awards 2022”, presidenti ukrainas Zelensky vjen me një fjalim emocionues!

Mbrëmjen e kaluar u mbajt edicioni i 64-të i ndarjes së çmimeve “Grammy Awards”, një super event që zgjati tre orë e gjysmë që kryesisht u shmang nga politika apo pandemia, me përjashtim të një mesazhi virtual nga presidenti ukrainas dhe një dedikimi emocional për viktimat e pushtimit rus. Volodymyr Zelensky bëri një paraqitje surprizë në “Grammy” të dielën, duke kërkuar mbështetje për vendin e tij dhe duke kërkuar nga artistët kryesorë të industrisë që të “mbushin heshtjen” e sjellë nga lufta me muzikë.

Zelensky dha mesazhin e tij të regjistruar para një performance nga John Legend të këngës “Free”, së cilës iu bashkua këngëtarja ukrainase Mika Newton, muzikantja Siuzanna Iglidan dhe poetja Lyuba Yakimchuk. Në videon e tij, ai u shpreh:

Edhe në kohët më të errëta, muzika ka fuqinë të ngrejë shpirtrat dhe të të japë shpresë për një të nesërme më të ndritshme. Nuk ka njeri që mund të përdorë pak shpresë tani më shumë se populli i Ukrainës. Luftë. Çfarë është e kundërta e muzikës? Heshtja e qyteteve të rrënuara dhe njerëzve të vrarë. Fëmijët tanë vizatojnë raketa fluturuese, jo yje që marrin çmime. Lufta nuk na lë të zgjedhim se kush do të mbijetojë dhe kush do të qëndrojë në heshtje të përjetshme. Muzikantët tanë veshin veshje të blinduara në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale, madje edhe atyre që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi. Ne mbrojmë lirinë tonë. Të jetojmë. Të dashurojmë. Të tingëllojmë. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë që sjell heshtjen e tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur. Mbushni heshtjen me muzikën tuaj! Mbushni atë sot për të treguar historinë tonë. Unë kam një ëndërr që ata (populli ukrainas) të jetojnë. Dhe të jenë lirë. Të lirë si ju në skenën e “Grammy”.