Aktualitet

Hiqet tarifa 10 euro në aeroport, ndikim në çmimin e biletave!

Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendos heqjen e tarifës së shërbimit prej 10 eurosh, për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë, i cili aktualisht paguhet nga udhëtari në momentin e blerjes së biletës, te shoqëritë ajrore. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE “heqja e tarifës aktuale, do të ketë një impakt domethënës në uljen e çmimit të biletave, duke ndikuar pozitivisht tek operatorët për të rritur numrit e destinacioneve të fluturimeve nga aeroporti, në përputhje me objektivat e Strategjisë së Aviacionit Civil”.

Vlerësohet se ulja e çmimit të biletave, si pasojë e heqjes së tarifës aktuale, do të rrisë edhe më shumë aksesin në aviacion dhe parashikimi gjatë 2022-shit është për rreth 4 milion pasagjerë. Heqja e kësaj tarife do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e trafikut ajror, numrit të linjave ajrore, destinacioneve të reja e numrit të pasagjerëve edhe në infrastrukturat e reja aeroportuale, siç janë Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Në këto kushte, Komisioni vlerëson se plani i njoftuar është ndihmë shtetërore.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishte 5.688.649, ose 2,1 herë më shumë, krahasuar me vitin 2020. Sipas INSTAT-it, referuar të dhënave mbi hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, sipas qëllimit të udhëtimit, në vitet 2014-2021, rezulton se mesatarisht 98.23% e të huajve vizitojnë Shqipërinë për arsye personale (pushime etj.).

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet nga turistët e huaj, në periudhën 2015–2019 kanë një rritje të ndjeshme në vlerë absolute, por edhe në raport me PBB-në, ku në vitin 2019 shpenzimet e turistëve të huaj përbëjnë 15.1%. Ndërkohë, në vitin 2021, ecuria e shpenzimeve është pozitive krahasuar me vitin 2020 (vit i pandemisë së COVID-19), duke u rritur në 12.4% të PBB-së.

Raportohet se gjatë vitit 2021, numri i uljeve dhe i ngritjeve në Aeroportin “Nënë Tereza” ka qenë 26,152 fluturime. Fillimi i vitit 2022 rezulton me një rritje të trafikut, duke tejkaluar numrin e fluturimeve për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjatë vitit 2022 pritet që rritja e trafikut të fluturimeve të jetë rreth 12%.