Bota Botë e Çuditshme

I nxehti ekstrem, rekordi i fundit me temperaturat e larta vjen nga Hungaria!

Departamenti meteorologjik i Hungarisë ka raportuar temperaturën më të lartë gjatë natës, në 128 vitet e fundit, me 25,4 gradë Celsius në mes të valës së të nxehtit të vazhdueshëm në Evropë. “Niveli më i lartë i mëparshëm i temperaturës gjatë natës u regjistrua në qytetin Szeged më 24 korrik 1894 me 24,6 gradë Celsius dhe temperatura më e fundit u mat dje në kryeqytetin Budapest me 25,4 gradë Celsius”,-tha në një deklaratë Drejtoria e Përgjithshme Hungareze e Meteorologjisë.

Temperaturat do të ulen nga e marta dhe priten reshje shiu në disa rajone, por temperaturat do të vazhdojnë të rriten sërish në ditët në vijim. Evropa po lufton me temperaturat ekstreme pasi vala e të nxehtit në Spanjë dhe Portugali shkaktoi vdekjen e më shumë se 330 personave javën e kaluar ndërsa Britania e Madhe regjistroi temperaturën e saj më të nxehtë ndonjëherë të martën e kaluar. Ndërkohë, në jugperëndim të Francës, zjarret kanë gllabëruar mijëra hektarë tokë.

Ndërkaq, vala e të nxehtit ka krijuar kushte të vështira për shumë njerëz në mbarë Shtetet e Bashkuara. Temperaturat më të larta përfshinë pjesën verilindore të Amerikës, ndërsa në bregun perëndimor vështirësuan punën e ekipeve për fikjen e zjarreve. Po kështu edhe Evropa vazhdon të përballet me temperatura të larta dhe zjarre në mbarë kontinentin. Guvernatori i Kalifornisë deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme në qarkun Marposa.

Rikujtojmë se dyqanet me ajër të kondicionuar në Paris do të duhet të mbyllin dyert dhe dritaret nga e hëna, ose do të përballen me një gjobë, për të reduktuar konsumin e energjisë, sipas një vendimi të marrë, të premten 22 korrik, nga Bashkia e kryeqytetit, sipas mediave të huaja. Vendimi, i miratuar, synon të reduktojë shpenzimet e energjisë për shkak të krizës energjetike. Vendimi do të jetë në fuqi edhe në muajt e dimrit dhe hyn në fuqi të hënën.