Celebrities Gossip Showbiz

Ikona e kinematografisë botërore Brigitte Bardot refuzon kategorikisht vaksinën anti-COVID!

Ajo ka qenë një ndër ikonat e bukurisë në vitet ’50-’60 dhe një aktore mjaft e talentuar që gjithmonë ka ditur si të tërheqë vëmendje. Brigitte Bardot, së fundmi ka deklaruar se nuk ka ndërmend të vaksinojë veten kundër COVID-19. Artistja e konfirmoi një gjë të tillë për revistën franceze “Gala” duke shpjeguar se është “alergjike ndaj të gjitha kimikateve”.

Duke rrëfyer udhëtimet e saj jashtë vendit në të kaluarën, 87-vjecarja shtoi:

Edhe kur udhëtova në Afrikë, nuk pranova të bëja vaksinën kundër etheve të verdha. Mjekët e mi në atë kohë kishin hartuar një certifikatë false. U largova dhe u ktheva në formë të mirë.

Megjithëse grupmosha e saj është ndër më të rrezikuarat për t’u prekur nga virusi dhe numri i infeksioneve në Francë, ku ajo jeton, është në rritje, Bardot mbetet e vendosur në bindjet e saj dhe refuzon kategorikisht çdo vaksinë. Aktorja ikonë e kinematografisë botërore pavarësisht nga artroza në ijet e saj, e cila e detyron të ecë me paterica u shpreh se:

Vdekja, ashtu si pleqëria, do të vijë herët a vonë.

87-vjeçarja është shprehur së fundmi gjithashtu se pandemia e COVID-19 është diçka pozitive për të gjithë njerëzimin e mbi të gjitha për planetin ku ne jetojmë. Ajo mendon se Toka është mbipopulluar dhe virusi po përpiqet të vendosë një rend të ri biologjik.

Kam frikë se COVID-19 dhe viruset e tjera janë duke u përpjekur me dhimbje të vendosin në vend një rend të ri. Këta 5 miliardë njerëz që janë shumë për Tokën do të zhduken, natyra do të fitojë të drejtat e saj. Nëse më pyet a është virusi diçka e mirë? Po, është një mënyrë për të vetë-rregulluar mbipopullimin që nuk e kontrollojmë dot ndryshe.

Deklarata e saj nuk është pritur dhe aq mirë nga fansat e publiku i gjerë të cilët të habitur nga pandjeshmëria e saj u shprehën se fjalë të tilla janë të papranueshme në një kohë ku mijëra njerëz po humbasin çdo ditë të afërmit e zemrës.