Celebrities

Bashkëshorti i Brigitte Bardot zbulon betejën e fshehtë me kancerin! “Nuk u ndava asnjë çast nga ajo”

Aktorja legjendare franceze Brigitte Bardot u përcoll sot për në banesën e fundit në Saint-Tropez, ndërsa bashkëshorti i saj, Bernard d’Ormale, ka bërë publike detaje tronditëse nga muajt e fundit të jetës së saj.

Në një intervistë për revistën franceze Paris Match, d’Ormale zbuloi se Bardot ishte diagnostikuar me kancer vetëm një muaj më parë dhe se iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale, përpara se të ndërronte jetë në moshën 91-vjeçare.

Ai tregoi me emocione momentet e fundit pranë ikonës së kinemasë:

Nuk e lashë kurrë vetëm. Isha pranë saj çdo ditë, i mbështetur edhe nga infermieret që vinin rregullisht. Në mëngjes i çoja mëngjesin që e adhuronte. Rashë në gjumë pranë saj dhe më pas e dëgjova të më thërriste me nofkën që përdornim vetëm ne. Pas asaj, gjithçka përfundoi

-rrëfeu ai.

Sipas bashkëshortit, pas ndarjes nga jeta, fytyra e Bardot u mbush me qetësi dhe paqe.

Ajo u bë përsëri jashtëzakonisht e bukur, njësoj si në rininë e saj. Nuk do ta besoje kurrë që ishte 91 vjeçe

-u shpreh ai.

Ceremonia mortore u mbajt në kishën Notre-Dame-de-l’Assomption në Saint-Tropez dhe nisi me tingujt e këngës “Ave Maria”, interpretuar nga Maria Callas.

Në ceremoni ishin të pranishëm bashkëshorti i saj, djali Nicolas-Jacques Charrier, nipërit, mbesat dhe anëtarë të tjerë të familjes, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit një prej figurave më ikonike të artit dhe kinemasë franceze.

Trashëgimia e Brigitte Bardot mbetet e gjallë jo vetëm përmes filmave dhe imazhit të saj të pavdekshëm, por edhe përmes angazhimit të saj të palodhur në mbrojtje të kafshëve, një kauzë që e shoqëroi deri në fund të jetës.