Një vaksinë e vetme në formë spreji nazal mund të mbrojë kundër të gjitha kollërave, ftohjeve dhe gripit, si dhe kundër infeksioneve bakteriale të mushkërive, madje mund të lehtësojë edhe alergjitë, thonë studiuesit amerikanë. Ekipi nga Universiteti Stanford ka testuar këtë që e quajnë “vaksinë universale” te kafshët dhe ende duhet të kryejë prova klinike te njerëzit. Sipas tyre, kjo qasje përbën një “largim radikal” nga mënyra se si janë projektuar vaksinat për më shumë se 200 vjet. Ekspertë të fushës e kanë cilësuar studimin “shumë emocionues”, edhe pse është ende në faza të hershme dhe një hap të madh përpara.
Vaksinat aktuale e trajnojnë trupin të luftojë një infeksion të vetëm; vaksina kundër fruthit mbron vetëm nga fruthi, ajo kundër lisë së dhenve vetëm nga ajo sëmundje. Kështu ka funksionuar imunizimi që nga fundi i shekullit XVIII, kur Edward Jenner hodhi themelet e vaksinimit. Vaksina jepet si sprej nazal dhe lë qelizat e bardha të gjakut në mushkëri, të quajtura makrofagë, në një gjendje “gatishmërie të lartë”, gati për të vepruar pavarësisht se cili infeksion përpiqet të hyjë në trup.
Në eksperimentet me kafshë, ky efekt zgjati rreth tre muaj. Studiuesit treguan se kjo gjendje e rritur gatishmërie çoi në një ulje 100 deri në 1 mijë herë të viruseve që arrinin të kalonin mushkëritë dhe të hynin në organizëm. Edhe ato pak që ia dilnin, sipas profesorit Bali Pulendran nga Stanford, përballeshin me një sistem imunitar “të përgatitur për t’i zmbrapsur me shpejtësi”.
Ekipi tregoi gjithashtu se vaksina mbron edhe kundër dy llojeve bakteresh, Staphylococcus aureus dhe Acinetobacter baumannii. Kjo vaksinë nxit një përgjigje shumë më të gjerë mbrojtëse, jo vetëm kundër gripit, Covid-it apo ftohjes së zakonshme, por kundër pothuajse të gjithë viruseve dhe shumë baktereve që janë testuar, madje edhe ndaj alergjenëve. Sipas tij, parimi mbi të cilin funksionon kjo vaksinë është një largim i madh nga parimet mbi të cilat kanë funksionuar vaksinat deri më sot.