Bota

Incidenti me dronin, SHBA-të thërrasin ambasadorin rus për sqarime!

Incidenti me rrëzimin e dronit amerikan në Detin e Zi, Amerika thërret për sqarim ambasadorin rus në Uashington, si dhe për të protestuar lidhur me veprimin. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price:

Sërish përmes niveleve të larta, jemi angazhuar drejtpërdrejt me rusët për të shprehur kundërshtimet tona mbi këtë pengim të pasigurt e joprofesional, që shkaktoi rrëzimin e dronit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   Ambasadori rus në Uashington u thirr në DASH, ndërsa ai amerikan në Moskë paraqiti kundërshtime të forta. Ky incident paraqet shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.

Ngjarja pason disa veprime të rrezikshme të kryera nga pilotët rusë kur u përballën me avionët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të aleatëve në hapësirën ndërkombëtare, përfshirë atë mbi Detin e Zi. Në mënyrë të përsëritur, forcat amerikane kryejnë fluturime në mbarë Europën mbi territore sovrane e përmes hapësirës ndërkombëtare, në koordinim me shtetet respektive e me ligjet ndërkombëtare.

Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby tha se autoritetet amerikane do t’ua bëjnë të ditura zyrtarëve rusë shqetësimet e Uashingtonit lidhur me dronin.

Droni nuk paraqiste asnjë rrezik dhe po fluturonte në hapësirën ndërkombëtare. Presidenti Biden u informua. Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji, por i pari që detyroi SHBA-të të rrëzojnë një dron në Detin e Zi. Për një vit, vazhdimisht kemi fluturuar mbi atë hapësirë e do të vazhdojmë të bëjmë këtë.

Po ashtu, komandanti i lartë i NATO-s u informua nga aleatët lidhur me incidentin mbi Detin e Zi. Një zyrtar i Aleancës Veri-Atlantike bëri të ditur:

Gjenerali Christopher Cavoli u informuar nga aleatët e NATO-s lidhur me incidentin në Detin e Zi.

Dronët MQ-9, kryesisht janë mjete fluturues pa pilot, të prodhuara që të kryejnë fluturime të gjata e të bëjnë monitorime nga lartësi të konsiderueshme.