Bota

Moska mohon akuzat e Uashingtonit për rrëzimin e dronit amerikan në Detin e Zi!

Rusia hedh poshtë akuzat e Amerikës për rrëzimin e dronit në Detin e Zi ku sipas ushtrisë amerikane, “një avion luftarak rus u përplas me një dron vëzhgues pa pilot të Shteteve të Bashkuara”. Komanda europiane e SHBA- -ve deklaroi:

Droni po kryente një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur dy avionë luftarakë rusë tentuan ta pengonin. Droni ynë i llojit MQ-9 po kryente një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur u pengua dhe u godit nga avioni rus, duke çuar në rrëzimin e shkatërrimin e plotë të tij. Ky ishte veprim joprofesional dhe i pasigurt i rusëve.

Po ashtu u përfshinë dy avionë rusë të llojit Su-27. Njëri prej tyre goditi helikën e dronit MQ-9. Ngjarja ndodhi dje në orën 07:03 duke detyruar ushtrinë amerikane ta rrëzonte dronin e saj në ujërat ndërkombëtare. Avionët e SHBA-ve e të aleatëve do të vazhdojnë të veprojnë në hapësirën ndërkombëtare. I bëjmë thirrje rusëve të sillen në mënyrë të sigurt e profesionale.

Moska mohon se avionët rusë kishin armë në bord e kontakt me dronin

Sistemi i kontrollit të hapësirës ajrore të Rusisë detektoi dronin MQ-9 të SHBA-ve i cili po fluturonte mbi Detin e Zi, pranë Gadishullit të Krimesë, në drejtim të kufirit me Federatën Ruse.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkelën kufijtë e hapësirës së përkohshme ajrore ruse, të krijuar për shkak të operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainë. Avionët tanë i ngritëm në ajër pasi u detektua droni amerikan, por për shkak të manovrimit të shpejtë, MQ-9 nisi të bënte fluturim të pakontrolluar duke humbur lartësinë dhe u përplas me sipërfaqen e ujit.

Rusia i referohet si operacion special ushtarak çmilitarizues, pushtimit të Ukrainës fqinje e që vijon prej më shumë se një viti, me urdhër të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Mijëra persona kanë humbur jetën e miliona u zhvendosë. Luftimet më të ashpra zhvillohen në rajonin lindor ukrainas.