Bota

Inteligjenca britanike: Shpërthimet në Krime, degraduan flotën ajrore ruse!

“Shpërthimet e kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krime, degraduan flotën ajrore të Rusisë”. Në këtë përfundim del Inteligjenca britanike në vlerësimin e radhës sa i përket situatës. Shpërthimet në Saki shkatërruan të paktën tetë avionë luftarakë rusë e sollën dëme të konsiderueshme. Për faktin që avionët e shkatërruar janë pjesë e flotës ruse në Detin e Zi, Britania e Madhe nuk ka dyshime se kapacitetet e saj do të preken, teksa Saki konsiderohet bazë kryesore operacionale.

Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, thekson se “me gjasë, baza Saki ende është operacionale, por zonat përreth pësuan dëme serioze”. Rusia raportoi për një person të vrarë e dhjetëra të plagosur. Moska pretendon se “shkak i shpërthimeve ishte mosrespektimi i rregullave kundër zjarrit”, duke e përshkruar ngjarjen si aksidentale.

Zyrtarisht, Ukraina mohon se qëndron pas shpërthimeve. Por, disa zyrtarë të Kievit, që nuk pranuan të identifikohen u thanë mediave amerikane se “ushtria ukrainase i shkaktoi”. Bazën ajrore Saki që gjendet në perëndim të Krimesë, Rusia e përdor për të kryer sulme në territorin e Ukrainës, që nga koha kur nisi pushtimin, mbi 5 muaj më parë.

Zv.ministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se “shërbimet e sigurisë po hetojnë se kush foli për mediat lidhur me shpërthimet”. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Të tilla rrjedhje informacioni pengojnë planet e ushtrisë ukrainase, pasi armiku mund të ndryshojë veprimet e tij e të përdorë këtë informacion kundër nesh.

Ndërkaq, Turqia tha se edhe dy anije me drithëra janë larguar nga portet ukrainase në Detin e Zi, duke bërë që totali të arrijë në 14. Më 22 korrik, Ukraina arriti marrëveshje me Turqinë e Kombet e Bashkuara, për të zhbllokuar eksportin e 22 milion tonëve misër e të tjera drithëra, të mbetura në porte e depo, që nga koha kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.