Bota

Zelensky iu ndalon zyrtarëve të flasin për taktikat ushtarake anti-ruse!

Presidenti ukrainas u bën thirrje zyrtarëve, të mos flasim më me gazetarët për taktikat ushtarake kundër Rusisë, ndërsa një zyrtare e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes tha se u hap një hetim lidhur me rrjedhjen e informacioneve. Deklaratat e Volodymyr Zelenskyt vijnë teksa vazhdojnë spekulimet mbi shkakun e një serie shpërthimesh, më herët gjatë javës në bazën ajrore ruse në Krimenë e pushtuar. Shpërthimet shkatërruan të paktën tetë avionë luftarakë rusë që ishin atje.

Imazhet satelitore shfaqën shkatërrim të madh në bazën ajrore Saki, në perëndim të qytetit Novofedorivka të Krimesë. Rusia sugjeroi se shpërthimet ndodhën për shkak të pakujdesisë. Por, burime të paidentifikuara në Kiev, i deklaruan mediave amerikane se “forcat ukrainase janë përgjegjëse”.

Gjatë një video-adresimi në orët e vona të 11 gushtit, Zelensky u shpreh:

Në luftë nuk ka kohë për gjëra të kota e për deklarata të zëshme. Sa më pak detaje të zbuloni për planet tona të mbrojtjes, aq më mirë do të jetë për zbatimin e tyre. Publikimi i taktikave ushtarake nuk është veprim i përgjegjshëm. Nëse dëshironi që Ukraina të fitojë duhet të jeni të vetëdijshëm se jeni përgjegjës për çdo fjalë që thoni për planet e Qeverisë sonë për mbrojtje apo kundërsulme.

Në një postim në Facebook, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se “shërbimet e sigurisë po hetojnë se kush foli për mediat lidhur me shpërthimet”.

Të tilla rrjedhje informacioni pengojnë planet e ushtrisë ukrainase, pasi armiku mund të ndryshojë veprimet e tij e të përdorë këtë informacion kundër nesh.

Ndërkaq, Turqia tha se edhe dy anije me drithëra janë larguar nga portet ukrainase në Detin e Zi, duke bërë që totali të arrijë në 14. Më 22 korrik, Ukraina arriti marrëveshje me Turqinë e Kombet e Bashkuara, për të zhbllokuar eksportin e 22 milion tonëve misër e të tjera drithëra, të mbetura në porte e depo, që nga koha kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.

Ukraina është eksportuese e madhe e grurit, misrit dhe të tjera drithërave. Pamundësia për të eksportuar këto produkte, kontribuoi në rritjen e çmimeve të ushqimit në mbarë botën. Rritjet e çmimeve shtuan frikën se disa shtete mund të preken nga uria ose mund të shkaktohet mungesë stabiliteti politik.