Celebrities Showbiz

Ish-prezantuesi i ‘Oscars’, David Letterman, reagon ndaj incidentit mes Will Smith dhe Chris Rock!

Në fillim u mendua se ishte e gjitha shaka, nga ato që duan të tërheqin vëmendjen në mbrëmje të mëdha të rëndësishme, siç padyshim është ceremonia e ndarjes së çmimeve ‘Oscars’. Por, për çudinë e të gjithëve nuk ishte kështu dhe Will Smith nuk u përmbajt e arriti të trazojë ujërat.

Aktorit të njohur hollivudian, nuk i mbajtën nervat kur gjatë prezantimit të dokumentarit më të mirë fitues, komediani Chris Rock bëri një batutë për prerjen shumë shkurt të flokëve nga Jada Pinkett Smith, bashkëshortja e Will-it, e cila vuan nga alopecia, sëmundje autoimune që shkakton rënien e flokëve. Will u çua nga vendi ku qëndronte i ulur dhe iu drejtua skenës ku grushtoi kolegun.

Pas kësaj, Will Smith u ngjit përsëri në skenë, por tashmë me një qëndrim tjetër. I vlerësuar me ‘Oscar’ si aktori më i mirë në rolin e Richard Williams-it, babait të tenisteve Venus e Serena, në filmin “King Richard”, Will u shfaq dukshëm i emocionuar dhe kërkoi falje për atë që ndodhi, por ndjesa nuk ishte për Chris Rock.

Të shumta kanë qenë reagimet lidhur me gjithë këtë situatë, si nga aktorët e tjerë që ishin prezentë në ceremoni, po ashtu edhe nga vetë Akademia e cila është distancuar nga dhuna dhe incidenti i krijuar. Së fundmi, një tjetër reagim ka ardhur nga David Letterman.

Prezantuesi dhe producenti i njohur ka reaguar publikisht për ndodhinë e bujshme në ‘Oscars’. David, i cili më parë parë ka prezantuar ‘Academy Award’ tha se atë natë kur ai drejtonte spektaklin askush nuk u godit dhe përfundoi me fjalët ”Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e Bekoftë ‘Academy Award!’”.

Dua të flas pak për atë që ndodhi në ‘Academy Awards’ mes Will Smith dhe Chris Rock dhe njerëzit do të thonë, ‘Dave, po ti çfarë di për këtë’. Unë do t’ju kujtoj që dhe unë kam prezantuar ‘Academy Award’. Mendoni si të doni për performancën time, por ajo që unë dua të them është se askush nuk u qëllua atë natë kur unë prezantova. Kaq kisha. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e Bekoftë ‘Academy Award’!