Makina e parë fluturuese hibride elektrike është kineze dhe deri më sot janë prezantuar shumë projekte të cilat janë në fazën e zhvillimit për mjete elektrike me ngritje dhe zbritje vertikale që quhen eVTOL, shumë të ngjashëm me dronët se sa me automjetet. Xpeng X2 është një makinë fluturuese e plotë, me dy vende dhe lëviz me të njëjtën lehtësi si në tokë ashtu edhe në ajër.
Sipas grupit industrial, mjeti është i pajisur me një sistem kontrolli të fluturimit inteligjent dhe me mundësinë për funksionim autonom. Është gjenerata e fundit, sipas presidentit të kompanisë Xpeng dhe ky mjet mund të udhëtojë ne tokë e qiell dhe ndryshimi i modalitetit është mjaft i thjeshtë.
Sipas tij, së shpejti do të hyjë në prodhim masiv dhe dorëzimet e para do të nisin në 2024. Grupi i inxhinierëve që po punon për këtë mjet të ri, bëjnë të ditur se sipas projektit, fluturimi mund të ketë një autonomi prej 150-200 km, mund të transportojë dy pasagjerë, ka 2 helika dhe një sistem me parashutë në brendësi.
Rikujtojmë, se një prototip i një makine fluturuese përfundoi një fluturim 35-minutësh midis aeroporteve ndërkombëtare në Nitra dhe Bratislavë në Sllovaki para disa kohëve. Avioni hibrid i kompanisë, AirCar, ishte i pajisur me një motor të BMW dhe funksiononte me karburant të rregullt me pompë benzine. Krijuesi i tij, Prof Stefan Klein, tha se mund të fluturonte rreth 1,000 km në një lartësi prej 2,500m.
Sjellim në vëmendje se turistët në Itali kanë mundësinë të lëvizin me taksi fluturuese dhe të përjetojnë një përvojë luksoze të ngrënies në eko-kulla. Ky koncept i ri për turizmin, erdhi si rezultat i një bashkëpunimi midis kompanisë së avionëve pa pilotë “Ehang Holdings” dhe arkitektëve nga “Giancarlo Zema Design Group” me bazë në Romë.