Celebrities Music Showbiz

“Jam një njeri që dua të krijoj, por nuk dua të ekspozohem”/ Killua na zbulon më shumë rreth tij!

Aris Demaj, apo Killua siç njihet me emrin e tij të artit, një nga artistët më premtues dhe të talentuar të tregut tonë, zbuloi ekskuzivisht në intervistën e tij të parë zyrtare në “Wake Up”, më shumë detaje mbi projektin e tij më të ri të titulluar “Bagëti e Bujqësi”. Por për sa i përket detajeve të jetës së tij personale por edhe profesionale, artisti nuk ka ngurruar që të na zbulojë më shumë. Duke qenë intervista e tij e parë zyrtare, për të zbuluar më mirë Killuan, si dëshiron ai që njihet, si Aris apo Killua?

Bëj një jetë shumë kontradiktore për sa i përket muzikës, sepse unë jam një njeri që dua të krijoj, por nuk dua të ekspozohem. Dhe fakti që kam qenë larg emisioneve, radiove, ka qenë sepse nuk dua të ekspozohem, sepse nuk dua të lidhem personalisht si Arisi me atë që krijoj. Kam një shprehje të cilën e kam vendosur në Instagram ku them: “Po luftoj të bëhem i famshëm që një ditë të jetoj në anonimitet të plotë”. Por duke qenë se gjërat po konsumohen shumë shpejt, njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë produktin, zgjodha të dal vetë. Dhe ku më mirë se Top channel, Top Albania Radio dhe Wake Up.

Por pse Killua nuk ka publikuar aq shpesh? A do të donte ai që të ishte më i pranishëm në treg?

Në fakt që nga publikimet e para, siç ishte dhe “Te molla” me Arnon, unë vendosa që të marr një pauzë dhe të punoj mbi dy albume, të cilat i kam gati. Janë rreth 20 këngë që janë punuar për një vit e gjysmë. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë për shkak të pandemisë, nuk xhironim dot, nuk krijonim dot. (Covidi) ne na ka penguar disi, por tani jemi plot me projekte dhe po presim që t’i lançojmë dalëngadalë.

2 albume dhe 20 këngë nuk janë pak. Çfarë ndodh me ato këngët, sa ndryshe janë nga njëra-tjetra dhe sa ndryshe janë nga ato që kemi dëgjuar më parë?

Albumi që nisi me këngën “Bagëti e Bujqësi” titullohet “Metamorfoza”. Quhet e tillë sepse është shndërrimi i një krimbi në një flutur, pra nis nga diçka dhe i gjithë procesi i ndryshimit vjen dhe kthehet në një flutur. Nuk dua të bëj filozofi, por shkollat e vjetra të filozofisë thonë se e vetmja gjë që nuk ndryshon është ndryshimi. Por në vendin tonë fatkeqësisht njerëzit po prodhojnë të njëjtin material. Ky album ka si qëllim që të sjellë të gjitha produktet shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, për të parë dhe qasjen e njerëzve ndaj tyre.

Për sa i përket moshës që Kllua dëshiron që të dëgjojnë muzikën e tij, çfarë audience synon ai?

Nuk mund të them se e nis për një audiencë të caktuar. Është e vërtetë që të kesh mosha të ndryshme që pëlqejnë muzikën tënde është diçka e mirë, por kur do të marketosh produktin ose kur do ta sjellësh një koncert të caktuar, është pak problem sepse mendon kush do të na vijë.

A dëshiron Killua që të sjellë bashkëpunime me artistë të tjerë?

Për momentin po kërkoj, jam shumë i hapur. Unë mezi pres të bashkëpunoj me njerëz që duan të sjellin frymë të re dhe frymë të mirë. Por do shohim rrugës. 

Rikujtojmë se, “Bagëti e Bujqësi” ka hyrë këtë javë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List” këtë javë. Momentalisht ky projekt renditet në vend të 10-të. Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, mund ta votoni atë për ta ngritur sa më lart në pozicionimin në listë.