Bota Sport

Jose Mourinho si Jul Çezari, populli i Romës ka një “Perandor” të ri!

Në Tiranë, Roma shkroi historinë dhe fitoi trofeun e Uefa Conference League, në finalen e mbrëmshme përballë holandezëve të Feyenoordit, në stadiumin “Air Albania”. Një fitore e ëmbël, falë golit Zaniolos. I përlotur, trajneri portugez Jose Mourinho deklaroi se “të fitosh e të shkruash historinë është speciale”. Dhe është pikërisht, ai, Special One, i cili me kupat ka flirtuar gjithnjë e tani numëron 26 tituj.

Roma bëri histori teksa fitoi edicionin e parë në historinë e Conference League. Italianët u treguan më cinikë në 90-minutat e Air Albania-s teksa shfrytëzuan një gol të Nicolo Zaniolos në minutën e 32-të duke fituar trofeun e parë europian pas Kupës së Panairëve në vitin 1961. Trajneri Jose Mourinho, bëhet i pari trajner që fiton tre kompeticione të UEFA-s; Champions League, Europa League dhe tashmë Conference League.

Jose Mourinho tani mund të quhet edhe “Perandori” i Romës. Tani “Special One” ngjan si Jul Çezari, i gjithë populli i Romës i bën homazh. Artisti Harry Grab, ka krijuar një vepër arti në një stacion metroje në zonën mjaft të njohur Circo Massimo. Të gjithë qytetarët e Romës dhe turistët e shumtë që vizitojnë “Qytetin e Përjetshëm”, do të përshëndetin “Perandorin” e fundit roman, që u ktheu lavdinë verdhekuqve, duke u dhuruar trofenë e parë europian.

Pas sfidës, mediat europiane i bënë jehonë fitores së Romës së Mourinhos ndërsa ato holandeze, trishtimit për humbjen në Tiranë, Feyenoordit të tyre. Në mënyrë të veçantë, spanjollet “Marca” e “AS”, nuk i kanë kursyer elozhet për teknikun portugez, duke iu referuar si “perandor”. Po kështu, mediat britanike “The Sun” e “Daily Mail” e nuk mbetet pas gazeta gjermane “Bild” që shkruan: “SuperMourinho tani bëhet “I Vetmi”: Trajneri legjendar fiton me Romën, Conference League”. Fitores së mbrëmshme të Romës në Tiranë i bën jehonë edhe francezja E’Equipe.