Bota Celebrities

Kalush Orchestra nxjerrin në ankand kupën e Eurovizionit për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë ukrainase!

Ukraina është shpallur fituese e “Eurovizion Song Contest 2022” me 631 vota. Grupi Kalush Orchestra me këngën “Stefania” arritën të fitonin me votat e publikut, duke lënë në vend të dytë Britaninë e Madhe. Fitorja vjen si një mesazh i fortë solidariteti dhe paqeje për Ukrainën, që shkon përtej muzikës dhe konkurrencës.

Menjëherë pas fitores, djemtë e grupit deklaruan se do të ktheheshin në atdhe për të luftuar, ndërsa së fundmi kanë bërë dhe një gjest tjetër human për vendin e tyre. Ata kanë nxjerrë në ankand trofeun e Evrovizionit, duke thënë se të ardhurat që do mblidhen nga shitja e tij do të shkojnë për bamirësi. Grupi do t’i dhurojë të ardhurat për një fond bamirësie që ndihmon ushtrinë ukrainase dhe Ukrainën, e cila është nën pushtimin rus. Lideri i grupit, reperi Oleh Psiuk u shpreh se:

Ne kemi planifikuar të nxjerrim kupën tonë në ankand dhe t’i dhurojmë të gjitha paratë për një fond bamirësie që ndihmon Forcat e Armatosura dhe Ukrainën. Shikoni, shumë njerëz tashmë po dhurojnë nga jashtë dhe ndoshta shumë të tjerë do të dëshironin për të dhuruar. Dhe kjo, sipas mendimit tonë, do të jetë gjëja që i motivon ata. Mendojmë se do të jetë e dobishme për Ukrainën.

Lideri i Kalush Orchestra, Oleh Psiuk i cili fitoi konkursin e këngës në Eurovizion, i dhuroi puthjen e lamtumirës të dashurës së tij për t’iu bashkuar vijës së parë në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë. Psiuk u fotografua duke përqafuar të dashurën e tij Oleksandra jashtë hotelit në Torino të Italisë, ndërsa ai u largua për t’iu bashkuar mbrojtjes së Ukrainës nga pushtimi rus.

Rikujtojmë se, Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi edicionin e radhës së Eurovision Song Contest, në Torino të Italisë publikoi videon e këngës “Stefania”, të xhiruar në Borodyanka, Irpin, Bucha e Gostomel, qytezat përreth Kievit ku Moska akuzohet për masakra të qytetarëve ukrainas. Video e këngës “Stefania” u publikua në kanalin YouTube të grupit Kalush Orchestra. Përmes Sony Music Entertainment, fitimet do të shkojnë për një shoqatë humanitare, të përzgjedhur nga vetë Kalush Orchestra.