Bota Celebrities

Pas triumfit në Eurovizion, lideri i Kalush Orchestra, Oleh Psiuk kthehet në vijën e parë të luftës!

Lideri i Kalush Orchestra, Oleh Psiuk i cili fitoi konkursin e këngës në Eurovizion, i dhuroi puthjen e lamtumirës të dashurës së tij për t’iu bashkuar vijës së parë në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë. Psiuk u fotografua duke përqafuar të dashurën e tij Oleksandra jashtë hotelit në Torino të Italisë, ndërsa ai u largua për t’iu bashkuar mbrojtjes së Ukrainës nga pushtimi rus. Duke folur për fitoren e grupit së fundmi përmes një konference për shtyp të drejtpërdrejtë, këngëtari tha:

Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë që votuan për Ukrainën. Kjo fitore do të thotë shumë për ne. Kjo fitore do të ngrejë shpirtrat dhe do të çojë në më shumë fitore në të gjitha frontet.

Psiuk tha gjithashtu se grupi do të festojë fitoren e tyre në Eurovision pas luftës, duke shtuar:

Njerëzit po vriten në luftë ose luftojnë në luftë ose humbasin punën e tyre në Ukrainë, nuk është në të vërtetë koha më e mirë për festime. Kultura jonë është nën sulm. Ne donim t’i prezantonim botës muzikën tonë. E shkrova këngën e Eurovisionit për nënën time para luftës por më pas, ajo filloi të merrte një kuptim tjetër për njerëz të ndryshëm. Po kthehem në shtëpi pasi drejtoj një organizatë vullnetare që ndihmon refugjatët me ushqim, strehim dhe mjekim. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë. Ne do të presim Eurovisionin në një Ukrainë të sapondërtuar dhe të lumtur.

Kënga e grupit, “Stefania”, u shkrua si një homazh për nënën e këngëtarit, por është shndërruar që nga pushtimi rus më 24 shkurt në një himn lufte. Grupi prej gjashtë anëtarësh mori leje speciale për t’u larguar nga vendi për të përfaqësuar Ukrainën dhe kulturën ukrainase në Eurovizion.

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi edicionin e radhës së Eurovision Song Contest, në Torino të Italisë publikoi videon e këngës “Stefania”, të xhiruar në Borodyanka, Irpin, Bucha e Gostomel, qytezat përreth Kievit ku Moska akuzohet për masakra të qytetarëve ukrainas. Video e këngës “Stefania” u publikua në kanalin YouTube të grupit Kalush Orchestra. Përmes Sony Music Entertainment, fitimet do të shkojnë për një shoqatë humanitare, të përzgjedhur nga vetë Kalush Orchestra.