Anulohen tri koncerte të këngëtares amerikane, Taylor Swift në Austri, pas arrestimit të një simpatizanti të grupit ekstremist, Shteti Islamik në lidhje me planifikimin e një sulmi, siç thanë organizatorët. Më herët dje, autoritetet austriake konfirmuan arrestimin e një 19-vjeçari, pas dyshimeve për planifikim të një sulmi në kryeqytetin Vjenë, duke paralajmëruar se në “fokus” kishte tre koncertet që planifikonte Swift.
Me konfirmimin nga zyrtarët për një sulm të planifikuar terrorist në Stadiumin Ernst Happel, ne nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse të anulonim tre koncertet e planifikuara.
Organizatorët shtuan se do të rimbursohen të gjithë personat që blenë bileta. Rreth 65.000 persona pritej të merrnin pjesë në çdo koncert të këngëtares Swift sot, nesër dhe të shtunën.
Personi i arrestuar, që javët e fundit ishte zotuar për besnikëri ndaj ISIS-it, u arrestua në një vend, rreth një orë nga Vjena. Lajmin e dha shefi kryesor i sigurisë në vend, Franz Ruf.
Gjatë një konference për media, Ruf shtoi se 19-vjeçari kishte në fokus koncertet e këngëtares amerikane në Vjenë. Në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet austriake gjetën substanca kimike. Ndërkaq, një person tjetër që besohet se kishte kontaktuar me të, u arrestua në Vjenë. Sipas hetimit fillestar, të dy të dyshuarit ishin radikalizuar në internet.
Këngëtarja 34-vjeçare, Taylor Swift po zhvillon turneun e saj “Eras”, që në Europë nisi në maj, me koncerte në Paris. Pas Francës, turneu vazhdoi në Suedi, Portugali, Spanjë, Mbretëri të Bashkuar, Irlandë, Holandë, Zvicër, Itali, Gjermani dhe Poloni. Në secilën ndalesë ka pasur ndikim të madh në ekonomitë lokale.
Më Austri, më shumë se 170 mijë spektatorë pritej të merrnin pjesë në koncerte, duke gjeneruar të ardhura prej 100 milion eurosh, sipas agjencisë së lajmeve, APA.
Vitin e kaluar, “Eras” u bë turneu i parë që shiti më shumë se 1 miliard bileta dhe pritet që ta dyfishojë këtë shifër kur të përmbyllet në Vankuver dhjetorin e këtij viti.
Austria ka përjetuar sulmin e saj të parë vdekjeprurës xhihadist në nëntor të vitit 2020 kur një simpatizant i ISIS-it sulmoi qytetarët në Vjenë, duke vrarë katër persona dhe plagosur 23 të tjerë, para se policia ta qëllonte për vdekje.