Aktualitet

Kërcënimet dhe paralajmërimi i Ambasadës Amerikane, shtyhet Samiti Botëror për Iranin e Lirë në Durrës!

Kërcënimet paraprake ndaj shtetit shqiptar dhe paralajmërimi i Ambasadës Amerikane kanë sjellë shtyrjen e Samitit Botëror për Iranin e Lirë në Durrës.

Qeveria shqiptare ka kërkuar shtyrjen e organizimit të këtij eventi të rëndësishëm për opozitën iraniane, kërkesë që është pranuar nga drejtuesit e Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane.

”Samiti Botëror i Iranit të Lirë i planifikuar për t’u mbajtur më 23 dhe 24 korrik në Ashraf 3, Shqipëri, shtyhet deri në një njoftim të dytë me rekomandime të qeverisë shqiptare dhe për shkak të kërcënimeve terroriste dhe komploteve të regjimit të mullahëve”,  thuhet në njoftimin e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Mbrëmjen e vonë të së enjtes ambasada amerikane në Tiranë lëshoi një njoftim sigurie duke i  bërë thirrje shtetasve të saj që të shmangin këtë ngjarje, të monitoronin mediat lokale, të mbanin një profil të ulët duke qenë të vetëdijshëm për çfarë i rrethon, për shkak të kërcënimeve që kanë mbërritur në lidhje me zhvillimin e Samitit Botëror për Iranin e Lirë në Manëz të Durrësit.

Samiti do të mbahej në kampin e muxhahedinëve iranianë, Ashraf 3, në datat 23-24 korrik.

Kampi është ngritur në një sipërfaqe të konsiderueshme në Manëz të Durrësit dhe në të jetojnë 3 mijë muxhahedinë që ndodhen në Shqipëri që prej vitit 2013.

Muxhahedinët konsiderohen grup terrorist nga Republika Islamike e Iranit dhe prej dekadash ndodhen në konflikt të hapur me pushtetin në Iran.