Aktualitet

Amerika paralajmëron mbi një kërcënim të mundshëm sigurie në Shqipëri!

Ambasada amerikane në Tiranë ngre alarmin për një kërcënim të mundshëm që shënjestron një samit të organizuar nga opozita e Iranit në emigracion e që mbahet nesër e të dielën në Durrës. Në njoftimin e selisë diplomatike të Uashingtonit thuhet:

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm, i cili ka në shënjestër takimin botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga data 23 deri më 24 korrik.

Qytetarët amerikanë udhëzohen nga ambasada që të shmangin këtë aktivitet.

Samiti i kësaj fundjave në Durrës, organizohet nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), dy grupe që mbështesin përmbysjen e qeverisë në Republikën Islamike. Siç dihet, prej vitit 2016, në vendin tonë strehohen rreth 3 mijë anëtarë të MEK-ut.

Në këtë samit do të marrin pjesë qindra politikanë dhe deputetë të njohur, nga të dyja anët e Atlantikut e më gjerë. Po ashtu, qindra mijëra iranianë pritet të bashkohen online nga shumë vende të botës. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ishte shënjestër e një sulmi kibernetik nga një shtet jomiqësor, që sulmoi të gjitha portalet qeveritare dhe atë të shërbimeve e-Albania.

Autoritetet ende nuk bëjnë të ditur nëse bëhet fjalë për të njëjtin kërcënim. Kujtojmë se në janar të vitit 2020, zyrtarët shqiptarë urdhëruan dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët u shpallën “non grata”. Njëri prej tyre dyshohej si anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa personi tjetër, si pjesë e Njësisë Operacionale të Shërbimeve Sekrete iraniane.

Një muaj më parë, kampi Ashraf pranë Durrësit u vizitua nga ish-zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, ndërsa në maj të po këtij viti, të njëjtin kamp e vizitoi edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.