Celebrities Gossip Showbiz

Këta mund të jenë emrat që do të prezantojnë “Eurovision 2022” në Itali…

Vitin që vjen, Italia do mirëpresë të gjithë pjesëmarrësit e “Eurovision 2022”, si vendi që mori stafetën për zhvillimin e kompeticionit të njohur europian pas fitores së grupit Maneskin këtë vit. Që tani, kur përgatitjet janë ende në hapat e parë, pasi sapo është hapur audicioni për qytetet që duan të marrin drejtimin e kompeticionit. Disa fjalë po qarkullojnë gjithashtu edhe për drejtuesit e saj.

Në krye të listës së kandidatëve sipas atyre që po qarkullojnë janë Chiara Ferragni dhe Alessandro Cattelan, që njihet ndryshe si Jimmy Fallon i Italisë. Lajmi u përhap nga e përjavshmja “Oggi”, sipas së cilës “Rai” ja ka vënë sytë influenceres së njohur në të gjithë botën dhe moderatorit të suksesshëm. Për momentin të gjitha janë veç thashetheme, por kaq u desh që gjithë Twitter të mbushet me opinione (goxha pozitive) për këtë dyshe.

Në fakt, të dy i përshtaten më së miri formatit. Cattelan ka eksperiencë të mëparshme në moderim, pasi ka prezantuar “X Factor Italy” për 9 vite, duke përfshirë këtu edhe vitin në të cilin konkuroi grupi Maneskin në 2017. Pas kësaj, ai u largua nga “Sky” për t’u bashkuar me “Rai”.

Nga ana tjetër, Chiara Ferragni është shumë e famshme, duke numëruar mbi 24 milion ndjekës në Instagram. Gjithsesi, të qenit e martuar me Fedez mund të pengojë disi situatën, duke marrë parasysh kritikat e këtij të fundit nga “Rai”.

Thuhet se mund të jetë dhe një moderator i tretë, ndoshta për prapa kuintave. Për surprizën e të gjithëve, mendohet që këtë pozicion ta marrë MIKA. Pavarësisht prejardhjes së tij, ai e flet rrjedhshëm italishten dhe ka një karrierë televizive prej vitesh tashmë.