Influencerja e njohur italiane Chiara Ferragni duket se ka gjetur sërish dashurinë. Pas ndarjes nga Giovanni Tronchetti Provera, ajo është fotografuar nga paparacët në Milano në shoqërinë e një mashkulli që po përflitet si partneri i saj më i ri. Sipas mediave italiane ai është menaxheri kolumbian Jose Hernandez. Të dy u fotografuan gjatë një shëtitjeje me qenin e saj Paloma, ndërsa në një moment janë kapur edhe duke u puthur, gjë që ka nxitur zërat për një lidhje romantike.

Raportohet se historia e tyre e dashurisë ka nisur gjatë dimrit. Sipas mediave italiane, Ferragni dhe Hernandez kanë qenë bashkë edhe gjatë pushimeve të Krishtlindjeve në Kolumbi. Influencerja kishte udhëtuar në Amerikën e Jugut me motrën e saj Valentina Ferragni dhe disa miq, ku besohet se është takuar me Hernandez në qytetin Cartagena.
Jose Hernandez është 35 vjeç, i lindur dhe rritur në Kolumbi, por prej vitesh jeton në Milano. Ai ka një karrierë të suksesshme në industrinë ndërkombëtare të gomave. Hernandez është diplomuar për Inxhinieri Menaxheriale në Universitetin Universidad del Norte në Kolumbi dhe më pas ka ardhur në Itali për të ndjekur një master në Politecnico di Milano mes viteve 2014 dhe 2016. Pas divorcit nga reperi Fedez dhe përfundimit të lidhjes me Tronchetti Provera, duket se Ferragni ka gjetur sërish buzëqeshjen në krahët e menaxherit kolumbian.
Ferragni ka njoftuar rikthimin e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke zbuluar se është fytyra e re e Guess për pranverën 2026. Ky bashkëpunim shënon angazhimin e saj të parë të madh pas mbylljes përfundimtare të çështjes ligjore që e shoqëroi gjatë dy viteve të fundit.