Vetëm pak ditë pasi u shpall e pafajshme në çështjen gjyqësore për mashtrim të rënduar, të lidhur me fushatat “Pandoro Balocco Pink Christmas” dhe “Uova di Pasqua”, influencerja italiane ka dhënë intervistën e saj të parë, duke rrëfyer pa filtra një nga periudhat më të errëta të jetës.
Sipërmarrësja 37-vjeçare ka treguar për mediat italiane se vendimi i gjykatës i ka sjellë qetësinë që i mungonte prej vitit 2022. Ajo zbuloi se momentin e pafajësisë e festoi në mënyrën më të thjeshtë: në shtëpi, mes njerëzve të saj më të afërt.
Do të festoj, u thashë të gjithë miqve të mi të vijnë në shtëpinë time. Do të rrimë bashkë, të qetë. Tani po rifilloj të jetoj
-u shpreh Ferragni, duke lënë të kuptohet se ky vendim shënon një pikë kthese personale dhe profesionale.
Në intervistë, Chiara foli hapur edhe për ndarjen nga reperi Fedez, me të cilin ka dy fëmijë, Leonen 8 vjeç dhe Vittorian 4 vjeçe.
Ajo pranoi se divorci ndodhi pikërisht në kohën kur shpërtheu skandali i pandorove, duke e përshkruar atë periudhë si më të errëtën e jetës së saj.
Ka pasur një ndarje publike në momentin tim të vetëm të nevojës. Jam ndier plotësisht e braktisur. Kam vuajtur shumë
-rrëfeu ajo, duke pranuar se goditja ishte e dyfishtë: personale dhe publike.
Kur fiton, të gjithë duan të jenë pranë teje. Por kur ke nevojë, shumë zhduken. Pranë meje qëndruan vetëm familja, nëna ime, miqtë e vërtetë dhe avokatët.
Ajo sqaroi gjithashtu se fushata e shumëpërfolur e pandorove u realizua në kulmin e karrierës së saj, në një periudhë të mbushur me suksese si Sanremo, projekte televizive, fushata globale dhe nisma bamirësie. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë synim për përfitim personal.
Ishim në majën e suksesit dhe nga ajo fushatë nuk fitonim asnjë euro. Kam qenë naive, por gjithmonë në mirëbesim. Megjithatë i kam marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete
-deklaroi ajo.
Sot, Chiara Ferragni thotë se është një njeri tjetër. Prioritetet e saj kanë ndryshuar rrënjësisht:
Më parë mendoja vetëm për suksesin. Tani kam mësuar të kujdesem për veten, të mos fajësoj veten dhe të besoj se e vërteta del gjithmonë.
Ajo e mbylli rrëfimin me një mesazh shprese, duke theksuar se pas vendimit të gjykatës ndihet më në fund e lirë dhe gati për një kapitull të ri në jetë:
Tani mund të them se po rikthehem të jetoj.