Bota

Kina njofton: “Kemi marrë sinjale nga jashtëtokësorët”!

Kina ka njoftuar se ka marrë mesazhe nga një qytetërim jashtëtokësor, nëpërmjet teleskopit të saj prej 180 milionë dollarësh “Sky Eye”. Revista e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë raportoi se ky teleskop ka marrë sinjale elektromagnetike, që shkencëtarët mendojnë se mund të kenë ardhur nga alienët. Por, postimi i ‘Science and Technology Daily’ në rrjetet sociale u fshi disa minuta më vonë, sapo u bë viral në Weibo dhe u raportua madje edhe nga televizioni shtetëror kinez.

Deri më sot, nuk është gjetur shenjë jete përtej planetit Tokë, por, sipas NASA-s, kjo nuk do të thotë se nuk ka. ‘Sky Eye’ u vendos në punë duke skanuar hapësirën e thellë për sinjale radio që mund të tregojnë jetën jashtëtokësore në vitin 2019. Duke analizuar ato të dhëna në vitin 2020, studiuesit thanë se vunë re dy sinjale radio të dyshimta me brez të ngushtë, potencialisht artificial. Më pas, në vitin 2022, një studim i synuar i ekzoplaneteve të njohur gjeti një tjetër sinjal radio të çuditshëm me brez të ngushtë, duke e çuar numrin në tre.

‘Sky Eye’ është radioteleskopi më i madh në botë. Rikujtojmë, se një astronaut i famshëm ka thënë së fundmi se UFO-t e filmuara nga ushtria amerikane mbi 100 herë mund të jenë alienë. Tim Peake, një nga astronautët e famshëm britanik, tha gjithashtu se UFO-t mund të jenë dëshmi e udhëtimit në kohë. Gjatë një interviste me ‘Good Morning Britain’, Peake, i cili kaloi më shumë se gjashtë muaj në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, u pyet për videot, të cilat Pentagoni i deklasifikoi kohët e fundit.

Ndërkaq, NASA i është bashkuar kërkimit dhe studimit të të ashtuquajturave fenomene ajrore të paidentifikuara, ato që dikur quheshin UFO. Agjencia Amerikane e Hapësirës ka njoftuar se në vjeshtë do të nisë një hetim 9-mujor të financuar me 100 mijë dollarë. Konkluzionet do të përfundojnë në një raport publik. Vendimi u mor për t’i dhënë një qasje shkencore ekzaminimit të fenomenit, për të cilin u shfaq interes edhe nga inteligjenca dhe parlamenti amerikan.