Aktualitet Rajoni

Kryediplomati grek Dendias: Shqipërinë e duam, por jo me çdo kusht!

Athina zyrtare përsërit thirrjet drejtuar autoriteteve shqiptare, për të liruar nga paraburgimi Fredi Belerin, fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës, më 14 Maj dhe që u arrestua dy ditë para votimeve për blerje të votave. Duke folur për televizionin STAR, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias paralajmëroi se kjo situatë mund të ketë një ndikim serioz në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai mohoi se po ushtrohet presion e vuri në dukje se e duan miqësinë me vendin tonë, veçse jo me çdo kusht.

Nuk po ushtojmë presion dhe as po bërtasim. E duam miqësinë me Shqipërinë, por jo me çdo kusht.

Kryediplomati Dendias shtoi se të hënën e 22 majit do të shkojë në Bruksel, për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Në atë mbledhje, ai do të paraqesë dhe çështjen e Fredi Belerit.

Unë do të jem në Bruksel të hënën në mëngjes. Aty kemi një drekë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Çështja duhet të ngrihet në Këshillin e Ministrave. Eshtë e pamundur të mos përmendet. Nuk është normal ndalimi i një kandidati për kryetar bashkie 48 orë para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në paraburgim. Përse po mbahet në qeli? Çfarë rrezikshmërie paraqet ai që kërkon ndalim të zgjatur? Këto janë pyetje të mëdha.

Po ashtu, ministri grek paralajmëroi edhe një takim me homologen shqiptare, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ka shumë gjasa të takoj personalisht edhe ministren e Jashtme. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të thënë disa fjalë.

I pyetur nëse kjo çështje do të ndikojë edhe lidhur me marrëveshjen e detit në Hagë mes Greqisë e Shqipërisë, kryediplomati i Athinës, Nikos Dendias tha se shpreson që veprimi i autoriteteve gjyqësore shqiptare të mos sjellë dhe një ndryshim të qëndrimit politik.