Sport

Kupa e Botës, sot Francë-Poloni e Angli-Senegal!

Francë-Poloni më 16:00 e Angli-Senegal në orën 20:00 të mbrëmjes janë dy sfidat që luhen sot në Kupën e Botës “Katar 2022”. Ndërkohë, Holanda nuk e përjashton mundësinë që të bëhet kampione bote në Katar edhe pse ka një rrugë të gjatë përpara. Një ditë më parë, pas një fitoreje 3-1 ndaj Shteteve të Bashkuara, skuadra e Van Gaal-it kaloi në çerekfinale ku do të përballet me Argjentinën e Lionel Messit.

Memphis Depay dhe Daley Blind shënuan në pjesën e parë, me të shkëlqyerin Denzel Dumfries, i cili asistoi në dy golat e parë të Holandës, duke vulosur fitoren pasi Haji Wright kishte shënuar për Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi pragmatik i Van Gaal-it e ka bërë të kritikohet, por përbën fakt që tani skuadra e tij është vetëm dy fitore larg finales dhe tre larg nga ngritja e trofeut për herë të parë në historinë e Holandës.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, kur u pyet nëse besonte se duhej të fitonte kompeticionin për të fituar respekt nga disa prej kritikëve të tij, Van Gaal deklaroi:

Unë marr mjaftueshëm vlerësim nga njerëzit përreth meje. E di që mediat nuk raportojnë gjithmonë pozitivisht, është diçka që ndodh në futboll. Ne mund të bëhemi kampionët e botës. Nuk po them se do të bëhemi, por që mund të bëhemi.

Trajneri i ekipit amerikan, Gregg Berhalter tha se e kishte të vështirë ta pranonte skualifikimin nga 16-shja më e mirë e Kupës së Botës, pas humbjes 3-1 me Holandën, por se u inkurajua nga përparimi i bërë nga ekipi i tij i ri në skenën e madhe të botërorit. Në një lojë që shpalosi avantazhet dhe dobësitë e amerikanëve në Kupën e Botës, atyre nuk u munguan shanset, por u vështirësuan në realizimin e golave dhe u detyruan të paguajnë përballë një Holande preçize.

Nga dje, Kupa e Botës ka hyrë në ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë ku sfidat e nesërme janë:

Japoni-Kroaci ora 16:00

Brazil-Kore e Jugut ora 20:00