Celebrities Showbiz

Leonardo DiCaprio vazhdon me thirrje publike për mbrojtjen e Vjosës!

Aktori i famshëm Leonardo DiCaprio, ka qenë një nga personazhet që ka ngritur më së shumti zërin lidhur me çështjet e mbrojtes së mjedisit, madje edhe me mbrojtjen e lumit Vjosa. Kësaj here ai ka bërë një tjetër reagim lidhur me këtë të fundit, në rrjete sociale.

Aktori ka postuar një video në llogarinë e tij në Instagram, duke e sjellë sërish vëmendjen në ruajtjen e këtij lumi. DiCaprio shkruan:

Aktivistët me ‘Blue Heart Rivers’ kanë punuar për të mbrojtur Vjosën për një dekadë dhe përpjekjet e tyre kanë fituar mbështetje globale. Nëse Vjosa do të bëhej park kombëtar, ajo do ta mbronte përgjithmonë nga kërkimet e naftës dhe digat aty pranë. Një park kombëtar i Vjosës do të tërhiqte rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit, do të gjeneronte rreth 20 milionë euro të ardhura çdo vit dhe do të krijonte gjashtë vende pune në komunitetet lokale për çdo punë në parkun kombëtar.

 

Përmes një linku të vendosur në postim, shihet edhe peticioni i krijuar për lumin Vjosa. Aktori ka rikujtuar edhe njëherë që të firmoset peticioni nga sa më shumë njerëz që Vjosa të bëhet sa më parë një park kombëtar dhe të ruhet siç duhet. Ky peticion duket se ka marrë vëmendje të madhe, pasi deri më tani është nënshkruar nga më shumë se 32 mijë njerëz.

Një vit më parë aktori i njohur amerikan, vlerësoi vendimin e qeverisë, për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë dhe kthimin e saj në një park kombëtar. Ndërkaq, dy vjet më parë, ylli hollivudian iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa, kundër ndërtimit të hidrocentraleve.

Në rrugën e tij, mbi 270 kilometra, lumi i Vjosës karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj e kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Ndërkombëtarisht, të veçantë e bën fakti se thuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera e të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë, si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.