Bota

Lindja e Ukrainës në blackout, akuza rusëve për sulme kundër infrastrukturës energjetike!

Ndërsa rajone të mëdha në lindje të Ukrainës janë në blackout, Kievi akuzon Moskën se po i sulmon infrastrukturën energjetike. Në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja e në disa zona të Dnjipropetrovskut, miliona njerëz përballen me mungesa të energjisë elektrike e të ujit. Presidenti Volodymyr Zelensky, thotë se “Rusia po sulmon infrastrukturën për t’i lënë njerëzit pa drita dhe ngrohje”. Raportimet përkojnë me kundërofensivën e forcave ukrainase në rajonin e Harkivit, duke rimarrë kontrollin e dhjetëra qytezave e fshatrave.

Sipas kryebashkiakut të Harkivit, Ihor Terekhov, Moska bombardoi termocentralin e qytetit, që është i dyti për nga madhësia në Ukrainë.
Edhe Dmytro Reznichenko, mes drejtuesve të Dnjipropetrovskut, akuzon po Moskën për problemet në furnizimin me energji. Ndërkaq, në rajonin Sumi janë prekur të paktën 135 qyteza dhe fshatra.

Sot është dita e 201-të e luftës ruse në Ukrainë dhe vijon avancimi i trupave të Kievit në rimarrjen e territorit të pushtuar. Raportohet se deri tani kanë rikthyer 3 mijë kilometra katrorë dhe referuar burimeve ushtarake në Ukrainë, po përparohet drejt kufirit me Rusinë. Si ndëshkim, Moska shkarkoi kreun e distriktit ushtarak lindor.

Një natë më parë, në të gjithë Ukrainën ranë sirenat e alarmit ajror, me raketa që u hodhën nga Deti i Zi për në rajone të ndryshme të vendit. Ndërkohë, rusët vazhdojnë të akuzojnë Kievin për sulme ndaj centralit bërthamor të Zaporizhjas. Presidenti Vladimir Putin paralajmëron pasoja katastrofike.

Ai urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por nuk e quan luftë. Për shefin e Kremlinit, ky është “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar vendin fqinj. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra dhe Moska u kundërpërgjigj e po mbyll rubinetin e gazit për shumë vende në Europë. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.