Bota

Ukraina ndal centralin bërthamor të Zaporizhjas!

Si masë sigurie, agjencia shtetërore, Enerhoatom, njofton se janë ndalur të gjitha veprimet në centralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainë, më i madhi në Europë. Kontrollin e tij, Rusia e mori pak pas nisjes së luftës, në fund të muajit shkurt. Sipas Enerhoatomit, “i vetmi reaktor që ishte në funksion u ndal sot dhe po punohet për ftohjen e tij”.

Katër ditë më parë, autoritetet ukrainase u bënë thirrje banorëve në zonat rreth centralit që për sigurinë e tyre, të evakuohen. Luftimet mes forcave ruse e ukrainasve po rrisin shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore. Rusia akuzon Ukrainën se po tenton të rimarrë centralin me forcë, akuza që hidhen poshtë nga Kievi.

Ukraina e Perëndimi akuzojnë Moskën se po dërgon armë të rënda atje, duke e ditur që ushtria ukrainase nuk do ta sulmojë. Moska kundërshton këto pretendime, por refuzon thirrjet për ta çmilitarizuar zonën, që të shmanget një katastrofë mjedisore. Po ashtu, Enerhoatom njoftoi se riktheu linjën e energjisë të dëmtuar nga sulmet ruse dhe tani centrali furnizohet me energji nga sistemi ukrainas.

Vazhdon i lartë rreziku për dëme të tjera.

Një ditë më parë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që ka vëzhgues të saj brenda centralit, u shpreh se situata në objekt është “tejet e paqëndrueshme”.

Kjo situatë e paqëndrueshme është duke u kthyer në rrezik. U duhen dhënë fund armiqësive e të krijohet një zonë e çmilitarizuar pranë centralit Zaporizhja, për të shmangur katastrofën bërthamore.

Ndërkohë, Petro Kotyn, drejtues i agjencisë Enerhoatom, i deklaroi agjencisë së lajmeve AFP se “forcat ruse kanë torturuar stafin në centralin Zaporizhja e të paktën dy punëtorë gjetën vdekjen”.

Dy persona u rrahën për vdekje. Ne nuk e dimë se ku janë dhjetë vetë të tjerë. Ata janë dhunuar fizikisht nga rusët e tani nuk kemi informacione lidhur me vendndodhjen e tyre.