Celebrities Film & Tv Showbiz

Lorik Cana tregon ekskluzivisht për “Më lër të flas” takimin histrorik me presidentin Emmanuel Macron në Shqipëri!

I ftuar në emisionin “Më lër të flas” gjatë mbrëmjes së sotme ishte ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit. Në këtë intervistë ekskluzive, futbollisti foli rreth karrierës së tij të suksesshme në këtë fushë dhe disa aspekte nga jeta e tij personale.

Së fundmi, Lorik Cana ishte pjesë e delegacionit të presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri. Historike për vetë faktin se ishte hera e parë që një president francez vizitonte vendin tonë. Në lidhje me këtë eksperiencë, ai u shpreh:

Zakonisht meqë ishte vizita e parë e një kreu francez, më shumë se 100 e ca vjet shtet marrëdhënie diplomatike, ishte hera e parë që një president francez vjen në vendin tonë, ishte një ngjarje historike. Historike për shumë arsye, edhe për momentin që jemi duke e përjetuar ne si shqiptarë, edhe sigurisht për të ardhmen tonë. Kur bëhen këto vizita zyrtare të para, sigurisht që është delegacioni zyrtar, është delegacioni diplomatik i tij. Së bashku me delegacionin e tij janë persona nga fusha e ekonomisë, që kanë investuar në vendin tonë, ose kanë ndër mend. Dhe është delegacioni kultural, që janë njerëz që kanë krijuar ura midis dy vendeve dhe më ka dërguar ftesën që të jem pjesë e delegacionit francez, për të udhëtuar me të. Udhëtimi zgjati dy orë e 15 minuta fluturim. Unë pata mundësinë 30 minuta ta kaloj bashkë me të.  Ai vjen i fundit, dhe vjen edhe takon të gjithë njerëzit e delegacionit. Pas një ore fluturim më erdhi shefi protokollit dhe më ftoi te pjesa ku qëndronte Macroon. Më kishte ruajtur vendin afër tij. E ndihmova të bëjë pjesën e fjalimit shqip, që e kishte shumë për zemër. Ishte kurioz për Shqipërinë, një pjesë të bisedës e kaluam te Kosova.

Ky takim midis tyre ishte akoma edhe më dashamirës, për vetë faktin se Cana ka qenë kapiten i skuadrës së futbollit të Marseille në Francë. Ai deklaroi në emision se i kishte bërë edhe dy dhurata simbolike presidentit Macron, duke ndërthurur futbollin, Francën e Shqipërinë.

Të parën i dhashë fanellën e shqiptarëve që për ne shqiptarët simbolizon një lloj sakrifice bashkimi, dhe suksesi tani që është me rëndësi. Atë mu duk normale që t’ia jepja kryeministrit për t’ia dhënë, e kisha bërë me emrin e Macron. Dhe dhurata e dytë ishte personale, ishte fanella e fundit që e kam mbajt si kapiten i Marseille, dhe atij iu bë shumë qejfi.