Sport

Manchester City pret United në Wembley! “Djajtë e Kuq” kualifikohen mes drithërimash në finalen e FA Cup!

Finalja e Kupës së Anglisë do të jetë ashtu sikurse vitin e kaluar, derbi i Manchester-it – City kundër United. “Djajtë e Kuq” arritën në aktin final të këtij kompeticioni historik pasi eliminuan Coventry në gjysmëfinale me penallti 4-2 pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi 3-3. Ishte një ndeshje ku skuadra e Erik Ten Hag për pak sa nuk bëri harakiri, duke parë si rrodhën ngjarjet në këtë përballje, që fare mirë mund të konsiderohet si një prej ndeshjeve më të pabesueshme në historinë e FA Cup. Manchester united mori avantazhin në minutën e 23 me mcTominay pas asistit të Garnachos.

Gjithçka po shkonte shumë mirë për “Djajtë e Kuq” që në minutat shtesë të pjesës së parë shënuan edhe golin e dytë me Maguire me një gjuajtje me kokë. Në pjesën e dytë në minutën e 58, Manchester United shënoi edhe golin e tretë me Bruno Fernandes duke lënë të kuptohet se llogaritë e kësaj gjysmëfinaleje u mbyllën.

Por pikërisht pas këtij goli ndodhi e pabesueshmja, Coventry filloi të shfaqë krenarinë e tij dhe në minutat 71 dhe 79 u rikthye plotësisht në lojë teksa shëni me Simms dhe O’Hare për të shkurtuar diferencën në 3-2. Në minutat shtesë të sfidës, Wan Bissaka preku topin me dorë dhe arbitri akordoi penallti për Coventry që u shndërrua në gol nga Wright duke barazuar shifrat në 3-3 dhe ndeshja shkoi në kohë shtesë.

Në këto 30 minuta Bruno Fernandes goditi tranversën, ndërkohë që edhe Wrighr e Simms patën shanset e tyre. Në minutën e 120, tifozët e Manchester United u shokuan teksa panë që Coventry me Torp ntë shënonte golin e 4, por për fatin e tyre ai u anulua për pozicion jashtë loje kështu finalisti i dytë i FA Cup u përcaktua nga lotaria e penalltive, Casemiro gaboi për Manchester United, por edhe O’hare e Sheaf për Coventry dhe në fund Manchester United arriti të fitojë 4-2 serinë e gjuajtjeve nga pika e bardhë dhe në Wembley do të ketë një tjetër përballje me rivalët e qytetit, Manchester City.