Rajoni

Maqedoni e Veriut sot zgjidhet presidenti dhe Parlamenti i ri!

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut me të drejtë vote kanë nisur të votojnë për të zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit të tyre në zgjedhje të dyfishta. Janë rreth 1.8 milion shtetas që e kanë të drejtë këtë të drejtë në këto dy palë votime. Eshtë fjala për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe ato parlamentare. Këto janë të parat zgjedhje të dyfishta që mbahen në vendin fqinj që prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti e po ashtu koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO-DPMNE/së në opozitë e LSDM-së në pushtet sa i përket kampit maqedonas ndërsa në atë shqiptar ndërmjet Frontit Europian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Europian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome e boshnjake. Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore e në secilën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 120 vende.

Partitë shqiptare duket se betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy e gjashtë, pikërisht aty ku dhe jeton popullata shqiptare. Bazuar në sondazhet e në veçanti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën më 24 prill, pra muajin e kaluar, VMRO-DPMNE/ja rezulton favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit

Në garën për president, sot janë dy kandidatë, fituesja e raundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE/së në opozitë, si dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate në pushtet.

Në raundin e parë, Davkova fitoi 363 mijë vota apo 40%  ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski, rreth 180 mijë të tilla ose 19%. Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, njëri nga dy kandidatët duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve, por po ashtu kërkohet që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40% e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore ose rreth 725 mijë votues.

Nëse plotësohet pragu prej 40% për zgjedhjen e kreut të shtetit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën e 12 majit.