“Shqipëria nuk do të lejojë vende të tjera përveç Italisë që të strehojë emigrantët në kampe pritjeje në territorin e saj”. Kjo u theksua nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euronews-in, të publikuar dje ndërsa po rritet interesi ndërkombëtar në lidhje me këtë skemë.
Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar.
Rama vuri në dukje se qeveria e tij po përpiqet që të ofrojë një zgjidhje pragmatike për një çështje që po bëhet një temë e nxehtë politike në Europë.
Kur vendosëm që ta bënim marrëveshjen e emigracionit, ne vendosëm bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si europianë. Sigurisht që ne nuk jemi europianë brenda Bashkimit Europian, por ne jemi ende europianë dhe nuk mund të na mohohet. Kjo është diçka që ne e bëmë në vend që të mos bënim asgjë. Pra, a është e re apo nuk është e re, a është novatore apo nuk është novatore, a do të funksionojë apo nuk do të funksionojë, kjo është e gjitha për t’u parë. Por me siguri është më mirë se thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh gjë, u shpreh shefi i qeverisë.
Po ashtu, kryeministri Rama mohoi se ky zhvillim mund t’i jepte Shqipërisë një avantazh në përpjekjen e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një qëndrim i tillë vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni njoftoi se homologu i saj britanik, Keir Starmer ka shprehur një interes të madh në lidhje me skemën.
Siç edhe dihet, qëllimi i deklaruar i Romës zyrtare është që në vendin tonë të përpunojë deri në 36 mijë aplikime për azil në vit. Teksa qeveria italiane merret me kërkesat, emigrantët do të sistemohen në dy qendra në zonën e Lezhës.
Meloni ka bërë të ditur se do të nisë pas disa javësh pritja e emigrantëve në Shqipëri, në qendrat e menaxhuara nga shteti italian e që pritej të hapeshin në fillim të muajit. Shtyrja lidhet me vështirësitë operacionale gjatë zbatimit të projektit. Brigjet e Italisë janë ndalesa e parë për ata që synojnë të shkojnë në vendet e BE-së për t’i shpëtuar luftërave në vendet respektive e varfërisë.