Bota

Masakër në një shkollë fillore në Teksas të SHBA-ve, vriten 19 fëmijë!

Amerika është në gjendje shoku. Një 18-vjeçar hapi zjarr në një shkollë fillore në Teksas, duke vrarë 19 fëmijë e dy të rritur, mes tyre një mësuese. Agresori u identifikua si Salvador Ramos dhe u ekzekutua nga policia në qytetin Uvalde. Kjo ishte masakra më e fundit në listën e gjatë të atyre që kanë përgjakur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh se “ka ardhur koha që të veprohet për kontrollin e armëve”.

Dukshëm i tronditur dhe me lot në sy, Joe Biden iu drejtua amerikanëve, si dhe ligjvënësve e senatorëve të Kongresit Amerikan:

Përse të tilla masakra ndodhin vetëm këtu te ne? Mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Eshtë çasti që dhimbjen ta shndërrojmë në veprim e të përballemi me lobuesit e armëve.

I sapokthyer nga udhëtimi në Azi, shefi i Shtëpisë së Bardhë foli në krah të Zonjës së Parë, Jill Biden, e veshura e gjitha me të zeza.
Joe Biden u shpreh “i lodhur” dhe “i zemëruar”.

Përse të vazhdojmë të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë? Ku është shtylla jonë kurrizore? Mos ejani të më thoni se nuk mund të kemi ndikim për të ndalur masakrat!

Në shenjë zie, Biden urdhëroi që flamujt në mbarë Amerikën, të qëndrojnë në gjysmështizë deri ditën e shtunë, më 28 maj.

Sipas fakteve paraprake të publikuara, fillimisht vrasësi qëlloi me armë zjarri gjyshen e më pas u përfshi në një aksident rrugor në afërsi të shkollës fillore Robb Elementary School. Ai zbriti nga makina, i armatosur me pushkë e me jelek antiplumb. Me të hyrë në mjediset e brendshme, nisi të hapë zjarr në disa klasa. Më pas, 18-vjeçari u ndal nga policia që e ekzekutoi në vend. Për agresorin nuk ka shumë informacion, por u raportua se mësonte në një shkollë jo shumë larg zonës ku kreu maskrën.

Për agresorin nuk ka shumë informacion, por u raportua se mësonte në një shkollë jo shumë larg zonës ku kreu maskrën. Para vrasjeve, kontaktoi një vajzë të panjohur në Instagram duke i shkruar se do të ndante me të një sekret: “unë do të …”. Por, duket se e la me kaq duke mos i treguar për tragjedinë që kishte në mendje dhe që e finalizoi disa orë më vonë. Në Instagramin e tij publikonte selfie e foto armësh. Po ashtu, bëhet e ditur se në 18-vjetorin e lindjes kishte blerë dy pushkë.