Celebrities Gossip Showbiz

Lyrical Son dhe Mc Kresha: “Sot nuk mund të krahasojmë asnjë këngëtare shqiptare me Vaçe Zelën!”

Të ftuarit e parë në ‘Më lër të flas’ këtë episod të dytë të programit më të ri të nisur në Top Channel nga binjakët Veshaj ishin Lyrical Son dhe Mc Kresha. Dyshja i kanë intervistat e tyre tepër të rralla, ndaj dhe interesi se çfarë mund të zbulojnë më tepër rreth jetës së tyre është tepër i madh.

Shoqëria e dyshes tanimë prej vitesh dihet se ka kaluar në stadin familjar, por të pyetur nga Donaldi dhe Romeo ata na treguan nëse janë konfliktuar ndonjëherë cila ka qenë arsyeja. E nëse mendonit se zënkat mes tyre kanë qenë të pakta, gaboheni. Ata treguan se përgjatë viteve kanë pasur debate dhe na zbuluan se janë konfliktuar për arsye nga më të ndryshmet, por një gjë për të cilën nuk kanë pasur kurrë probleme kanë qenë paratë. Lyrical Son dhe Mc Kresha gjithashtu treguan për ‘Më lër të flas’ se paratë në koncerte i ndajnë në mënyrë të barabartë.

Dy reperët njihen gjithashtu edhe për hitet dhe këngët shumë artistike që i kanë sjellë ndër vite dhe padyshim që si artistë me A të madhe, mund ta bëjnë ndryshimin mes kualitetit të tregut muzikor dikur me atë të ditëve të sotme dhe me anë të një pjese teksti nga një këngë e tyre, Mc Kresha dha përgjigjen që në fakt ishte një ‘thumb’ për koleget e tij.

Ne kemi thënë ‘Te ne nji sen dallohet, muzika kqyret nuk ngohet’, sot nuk mund të krahasojmë asnjë këngëtare shqiptare me Vaçe Zelën.

E teksa padyshim në një zhanër si hip-hop, gjuha eksplicite është e pashmangshme dhe kësaj nuk i ka ‘shpëtuar’ as dyshja, por tani që janë bërë prindër, ata na treguan se i kanë rralluar të tilla fjalë dhe se në këngë të këtij lloji përpiqen t’i sjellin pa videoklipe.