Bota Showbiz

Me shkrime homofobe, vandalizohet murali i Raffaella Carrà në Barcelonë!

Indinjatë dhe zemërim për shkrimet homofobe në muralin kushtuar ikonës së televizionit italian, Raffaella Carrà në Barcelonë.

Në veprën e artistit Salvatore Benintende, me origjinë nga Palermo, ranë në sy mbishkrimet: “Gay no” dhe “Vih”.

Pak ditë pas ndarjes së saj nga jeta, më 5 korrik, 41-vjeçari, i cili prej vitesh jeton në Barcelonë ku njihet me pseudonimin TvBoy kishte realizuar portretin e Raffaella-s në një sfond ylber, simbol i komunitetit LGBT+. Aty shkruhej:

Jeta është e tillë kur ke lirinë.

Ky përbën një mesazh gjithëpërfshirjeje e kundër homofobisë, për të cilin Carrà ka qenë vazhdimisht zëdhënëse.   Mbështetëse e lirisë e të drejtave të të gjithëve, pa dallime seksuale, vazhdimisht është konsideruar simbol i LGBT+. Njëherë e pyetën se si shpjegohej kjo?

Do të vdes pa e ditur. Në varrin tim do të lë mbishkrimin: Përse i kam pëlqyer kaq shumë komunitetit gay?

Showgirl-i ishte shumë e adhuruar në Spanjë e jo vetëm në Barcelonë, por në qytete të ndryshme spanjolle i bënë homazhe pas ndarjes nga jeta.

Një shesh në Madrid mban emrin e saj ndërsa regjisori Nacho Álvarez realizoi një film me këngët e saj “Explota Explota” apo “Ballo Ballo”.