Bota

Mes ofensivës në Rafah, Izraeli përkujton Ditën e Holokaustit!

Izraeli po përkujton gjashtë milion hebrenjtë që u vranë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Holokaustit, ndërkohë që po bën përgatitje për një ofensivë të mundshme në Rafah, pasi grupi islamik palestinez Hamas mban më shumë se 100 pengje të rrëmbyer në Izrael, më 7 tetor 2023.

Sot në mëngjes, sirenat kumbuan për dy minuta në të gjithë vendin për të përkujtuar katastrofën. Makinat ndaluan në rrugë dhe kalimtarët qëndronin në heshtje në nderim të viktimave. Ceremonia qendrore përkujtimore pasoi në memorialin e Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem.

Këtë vit, Dita e Përkujtimit po shënohet nën hijen e luftës së Gazës, e që po zgjat prej shtatë muajsh. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) filluan të evakuojnë qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, përpara operacionit të pritshëm ushtarak atje.

Ne po fillojmë një operacion me shtrirje të kufizuar për të evakuuar përkohësisht banorët e Rafahut lindor.

IDF-ja iu bëri thirrje banorëve të pjesës lindore të qytetit në kufi me Egjiptin që të lëvizin në kampin “al-Mawasi” në Mesdhe, disa kilometra në veri. Ata u informuan me mesazhe me tekst, telefon, fletëpalosje e përmes mediave në gjuhën arabe.

Negociatat indirekte midis Izraelit dhe organizatës terroriste islamike palestineze Hamas në Kajro për një armëpushim të ri në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë, nuk dhanë ndonjë rezultat në fundjavë.

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Holokaustit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se “Izraeli duhet të mbrohet edhe i vetëm nëse është e nevojshme”.

Gjatë Holokaustit të tmerrshëm, kishte liderë të rëndësishëm që qëndruan mënjanë. Mësimi i parë nga Holokausti është që nëse nuk mbrohemi, askush tjetër nuk do të na mbrojë. Dhe nëse ne duhet të ngrihemi vetëm për veten tonë, atëherë do të ngrihemi vetëm për veten tonë.

Sipas vlerësimeve, Partia Nacional-socialiste e Gjermanisë dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë rreth 6 milion hebrenj midis viteve 1933 e 1945, kur u mundën nga forcat aleate në Luftën e Dytë Botërore. Referuar shifrave zyrtare, 132 mijë e 826 të mbijetuar të Holokaustit ende jetojnë në Izrael.

Rreth 2 mijë e 500 u ndikuan drejtpërdrejt nga ngjarjet e 7 tetorit 2023 kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë 1 200 persona dhe marrë rreth 250 pengje. Afro 2 mijë të mbijetuar të Holokaustit që jetojnë në Izrael janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës në Gaza.