Bota

Miliarderi australian do të ndërtojë “Titanik II”

Një miliarder australian do të ndërtojë “Titanik II”. Manjati i minierave, Clive Palmer bëri të ditur se puna do të fillojë shumë shpejtë. Ndërtimi i anijes, që do të ketë të njëjtin dizajn të brendshëm dhe modelim kabinash, si ajo origjinale, bashkë me sallën e vallëzimit dhe tualetet turke, ka qenë një ëndërr e hershme e biznesmenit australian, njëkohësisht politikan konservator. Ndërkaq ai tha se: “Anija do të bëjë udhëtimin origjinal, do të mbajë pasagjerë nga Southampton në Nju Jork, por ajo edhe do t’i bjerë rrotull globit duke frymëzuar njerëzit, ndërsa do të tërheqë një vëmendje që nuk mund të ketë rivalë, intriga dhe mister në çdo port që do të vizitojë. Miliona vetë kanë ëndërruar të udhëtojnë me të, ta shohin atë në port dhe të përjetojë madhështinë e saj unike. Titanik II do të jetë anija ku ato ëndrra do të bëhen realitet”.