Tech

‘Monolog’ me veten?! WhatsApp jua ofron këtë mundësi me veçorinë e re!

WhatsApp së fundmi po shton funksionin e tij më të ri “Message Yourself” për përdoruesit e aplikacionit në mbarë botën. Aplikacioni tani do t’ju lejojë t’i dërgoni tekst vetes për të ruajtur mesazhet. Sipas një raporti nga ‘TechCrunch’, aplikacioni i mesazheve në pronësi të Meta-s ka filluar ta lançojë veçorinë e re.

Funksioni “Message Yourself” do të jetë i ngjashëm me dërgimin e një teksti te një përdorues tjetër, vetëm se mesazhi do të mbetet në një bisedë të veçantë në telefonin tuaj. Pasi të dalë funksioni, përdoruesit do të shohin një bisedë të veçantë me emrin e tyre të ndjekur nga (You).

WhatsApp shprehet se se veçoria ‘Message Yourself’ duhet të arrijë shumicën e përdoruesve të Android dhe iOS në javët e ardhshme, sipas raportit. Përdoruesit mund të shkarkojnë versionin më të fundit të aplikacionit në Android dhe iOS për të përdorur veçorinë e re. Rikujtojmë, se së fundmi Cybernews hetoi një mostër të dhënash të disponueshme për shitje që përmbanin numra të përditësuar të telefonit celular të afro 500 milionë përdoruesve të WhatsApp.

Më 16 nëntor, një person postoi një reklamë në një forum të njohur të komuniteti të hakerëve, duke pretenduar se ata po shisnin një bazë të dhënash të vitit 2022 me 487 milionë numra celularë të përdoruesve të WhatsApp. Të dhënat supozohet se përmbajnë të dhëna të përdoruesve të WhatsApp nga 84 vende, në mesin e tyre është edhe Shqipëria.