Bota

Musk e ripranoi në Twitter, por Donald Trump-it nuk ikën nga Truth!

Platforma Twitter i riktheu llogarinë Donald Trump-it, vendim që pasoi sondazhin ku përdoruesit u pyetën nëse llogaria e ish-presidentit amerikan duhet apo jo të rikthehet? Rreth 15 milion përdorues u përgjigjën, me 51.8% prej tyre që votuan në favor. Pronari i Twitter-it, miliarderi Elon Musk shkroi:

Populli foli, Trump do të rikthehet. “Vox Populi, Vox Dei” (Zëri i popullit, zëri i Zotit).

Por, Donald Trump nuk duket i interesuar. Nuk ka dyshime se ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë gjendet mirë në platformën e tij të quajtur Truth Social. Pak ditë më parë, Trump zyrtarizoi vendimin për të kandiduar për presidencialet e pas dy viteve, gjithnjë nëse siguron mbështetjen e duhur të republikanëve për ta vendosur përballë rivalit apo rivales së demokratëve. Ndërsa Musk shpalli sondazhin, Trump shkruante:

Votoni tani me pozitivitet, por mos u shqetësoni, ne nuk do të shkojmë askund. Truth Social është i veçantë!

Donald Trump u pezullua nga Twitter-i më 8 janar të vitit të kaluar, dy ditë pasi rebelët pro-Trump sulmuan Kapitolin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndërprerë një seancë të përbashkët të Kongresit Amerikan. Pesë persona u vranë në trazirat që tronditën botën. Tani, ai ka ndërmarrë projektin politik për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Kujtojmë se në fund të tetorit, ish-presidenti komentoi blerjen e Twitter-it nga Elon Musk e shprehej shumë i lumtur që “tani Twitter është në duar të sigurta e nuk do të drejtohet më nga të çmendurit e majtë radikalë dhe maniakët që e urrejnë vendin tonë”.

E DUA TË VËRTETËN! Do të jetë më mirë nëse arrin të heqë qafe robotët dhe llogaritë e rreme që e kanë lënduar aq keq.

“Blerja e Twitter-it nga Musk ka hapur kutinë e Pandorës”, – tha grupi Ultraviolet në një deklaratë kur njeriut më të pasur në botë i kërkonte të vazhdonte të zbatonte ndalimin e Trump-it nga platforma, por pa sukses.