Rajoni

NATO “ftillon” Vuçiç: Nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë, gati të ndërhyjmë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, ku folën rreth ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Numri një i aleancës Veri-Atlantike i tha qartë dhe prerë kreut të shtetit serb, se nëse do të cënohet stabiliteti i Kosovës, forcat e NATO-s janë gati të ndërhyjnë. Detajet e bisedës mes Stoltenberg dhe Vuçiç janë bërë publike në Twitter.

Në veri të Kosovës serbët liruan mes tensionesh pikat kufitare.  U largua edhe kamioni që ndodhej mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjak, i vendosur nga serbët për ta bllokuar atë pjesë. Qarkullimi i veturave tashmë ka nisur mbi urë, ndonëse me vështirësi.

Në rrugë po qëndrojnë edhe njësitë e Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për rendin. Më herët u njoftua se të gjithë kamionët që ndodheshin në rrugën që çon për në pikëkalimin kufitar në Bërnjak janë larguar të hënën në mesditë.

Largimi i barrikadave nga këto dy pika nënkupton edhe pezullimin e vendimit për reciprocitet në dokumentet identifikuese dhe zëvendësimin e targave ilegale me ato të Republikës së Kosovës.

Shefi i Qeverisë, Albin Kurti njoftoi se vendimi do të pezullohet edhe në pikat e tjera kufitare në të cilat që nga mesnata po zbatohej.

Gjatë së hënës në veri të Kosovës janë vendosur edhe pankarta me mbishkrimin “Mirëserdhët në Asociacionin e Komunave Serbe” në kundërshtim të vendimit për reciprocitet.

Ndërkohë në zonë vijojnë te jene prezente forca të KFOR-it, të cilat thanë se janë të gatshme të ndërhyjnë në rast precipitimi të situatës.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të kërkojë një takim në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano duke konfirmuar lajmin tha se Kurti dhe Vuçiç kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.