Auto & Moto

Ndodh pas 4 vitesh, Tesla shënon rënie të dërgesave!

Tesla ka regjistruar rënie tremujore të dërgesave për herë të parë në thuajse katër vjet. Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit. Tesla dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina. Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.

Dërgesat u tkurrën me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Hera e fundit që Tesla pati regjistruar rënie të shitjeve ishte në tremujorin e dytë 2020, kur pandemia Covid-19 detyroi shtëpinë automobilistike të ndalte prodhimin. Kompania deklaroi se rënia e vëllimit vjen pjesërisht për shkak të përpjekjeve për të përgatitur fabrikën në Fremont në Kaliforni që të rrisë prodhimin e Model 3 të azhurnuar dhe mbylljes së fabrikës në Berlin, si rezultat i devijimeve të dërgesave të shkaktuara nga konflikti në Detin e Kuq.

Tesla është përballur me konkurrencë të fortë në Kinë nga aktorët vendas, duke përfshirë liderin e tregut BYD, i cili ka lënë pas kompaninë amerikane si prodhuesi më i madh i makinave elektrike në tremujorin e katërt dhe hyrjen e re Xiaomi. Megjithatë, kompania e cila drejtohet nga Elon Musk ka shitur rreth 300.000 makina elektrike me bateri gjatë tremujorit. Në janar, Tesla paralajmëroi për një rritje të shitjeve “dukshëm më të ulët” këtë vit, pasi është përqendruar në prodhimin e automjetit elektrik të gjeneratës së ardhshme.