Film & Tv

“Në kuadër të dashurisë”, lidhje live nga sheshxhirimi në Korçë!

Emisioni “Më lër të flas” në Top Channel, nisi sonte me një lidhje live nga Korça, ashtu siç dhe e paralajmëruam më herët. Aty aktorët e “Në kuadër të dashurisë” vazhdojnë xhirimet e filmit më të komentuar të momentit.

Binjakët Romeo dhe Donald Veshaj ndërprenë për pak minuta xhirimet, teksa kamera u afrua te protagonistët Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli. Në të njëjtën tavolinë me ta qëndrojnë aktorët e mirënjohur Zamira Kita dhe Ndriçim Xhepa.

Korça duket se është vendi i preferuar i kineastëve për të xhiruar filma. Prej vitesh ky qyetet ka qenë sheshxhirimi i një sërë filmash të vjetër shqiptarë.

“Në kuadër të dashurisë” xhiron pikërisht në këtë qytet, duke e bërë atë sërish pjesë të ekranit të madh pas shumë vitesh. Ky film do të jetë një komedi romantike, ku nuk do të mungojnë të qeshurat, por as lotët. “Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre.

Në role kryesore janë Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari, dy ndër personazhet më të komentuar prej disa muajsh tanimë. Nga ‘rivalë’ në shtëpinë e “Big Brother VIP”, ata vijnë tashmë si burrë dhe grua në filmin që parashikohet të thyejë rekorde.