Aktualitet

Në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë/ Top Channel e “Fundjavë Ndryshe” nisin batanije dhe veshmbathje!

Top Channel e Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” i janë bashkuar nismave solidarizuese për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë, pas tërmetit vdekjeprurës të 6 shkurtit e aktivitetit sizmik që pasoi, duke shkaktuar mijëra viktima e të plagosur.

Dhjetëra kuti me batanije dhe veshmbathje janë dërguar drejt dy vendeve. Një javë më parë, televizioni kombëtar Top Channel shpalli iniciativën e solidaritetit, duke iu bërë thirrje qytetarëve shqiptarë t’i shkojnë në ndihmë popullit turk dhe atij sirian, ndërsa me miliona njerëz janë prekur nga pasojat e lëkundjeve që kanë mbjellë shkatërrim, duke gjunjëzuar zonën mes Turqisë e Sirisë.

Kësaj thirrjeje i janë bashkuar më shumë se 1 mijë e 200 qytetarë shqiptarë, të cilët kanë kontribuar në vlera të ndryshme monetare, duke arritur shumën e 100 mijë dollarëve, para’ të konvertuara në ndihma.

Për gazetaren e Top Channel, Rudina Muça, themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari falënderoi të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.

1 mijë e 220 njerëz iu bashkuan thirrjes që Fundjavë Ndryshe nisi dhe pasoi me bashkimin e Top Channel, i cili na dha mundësinë që fushata të merrte zë dhe sot jemi duke ngarkuar ato që janë vlerësuar më emergjente në koordinim me ambasadën. Janë afro 1 mijë e 800 krevatë portativë, qindra batanije, dyshekë, rroba, çadra, ato që janë vlerësuar si ndihmat më emergjente.

Kjo ishte në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh që shteti turk dha në vitin 2019. Ne nuk e kemi fuqinë për t’i suportuar me shtëpi, por deri tani janë disa trajlera që janë nisur drejt Turqisë dhe Sirisë. Kjo fushatë që nisi, pati një rëndësi të madhe nga mbështetja e Top Channel veçanërisht në Big Brother, ku u bë një thirrje e mbi 1 mijë e 200 njerëz iu bashkuan dhe sot janë përkthyer në të mira materiale.