Celebrities Music

Ardhja e artistit serb në Festën e Birrës në Korçë trazon ujërat…

Festa e Birrës që organizohet në Korçë do të rikthehet edhe këtë vit duke nisur nga 18 deri më 22 Gusht. Së fundmi është mësuar se një nga të ftuarit në këtë event do të jetë dhe këngëtari serb Goran Bregovic. Lajmin e kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit, duke e konsideruar këtë të fundit si i ftuari special i natës finale. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Veç artistëve shqiptarë, DJ dhe grupeve më të njohura muzikore në Shqipëri, atmosfera do të kulmojë në natën finale me performancën e këngëtarit Goran Bregovic.

Por ky lajm duket se nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e konsiderojnë këngëtarin si një nga artistët që ka frymëzuar masakrat e serbëve kundër Kosovës. Për më tepër, Bregovic ishte frymëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë sidomos me këngën e tij “Kalashnikov”.

Këngëtarja e njohur, Besa Kokëdhima ka reaguar ashpër lidhur me këtë detaj. Nëpërmjet rrjeteve të saj sociale, artistja bën thirrje që të bojkotohet pjesëmarrja në këtë event, pasi sipas saj ai nuk është një njeri i mirë.

Ai është një artist i mirë por dukshëm jo edhe një njeri i mirë. Bojkotojeni! Mos lëndoni motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova. Nuk ka arsye që ai të jetë i ftuari special në një event kaq tradicional. Bojkotojeni!

Më herët ka reaguar gjithashtu dhe Vesa Luma, e cila është shprehur kundër pjesëmarrjes së këngëtarit. Ajo ka shprehur se ka menduar se ky me patjetër duhet të jetë një lajm i gabuar. Më tej ajo ka ripostuar dhe reagimin e koleges së saj, Besa Kokëdhima, me fjalët:

Pavarësisht se çfarë artisti është, vetëm pak respekt duam ne për dhimbjen tonë, që ky e ka frymëzuar me muzikën e tij…Mbi të gjitha, më shumë se sa ka artistë shqiptarë, nuk besoj se ka diku tjetër. Pra, nuk dua të mendoj që është fushatë nxitëse.