Tech

Nga 280 në 2500 fjalë, risia më e fundit vjen nga Twitter!

Twitter po teston një veçori të re që do t’i lejojë përdoruesit të postojnë deri në 2500 fjalë, pas 280 karaktereve të lejuara deri më tani. Kompania tha se ata vendosën për këtë veprim për faktin se Twitter po bëhet gjithnjë e më popullor dhe përdoruesit po përdorin platformën për të publikuar përmbajtje më të gjata.

Testi do të zgjasë për dy muaj dhe do të përfshijë një grup të vogël përdoruesish nga Kanadaja, Gana, Britania e Madhe dhe SHBA dhe funksioni i ri synon të mbajë audiencën në “ekosistemin e Twitter”. Me këtë risi, Twitter dëshiron t’u lejojë përdoruesve të vendosin gif, foto dhe veçori të tjera në postime të gjata.

Përdoruesit gjithashtu do të jenë në gjendje të modifikojnë postimet e tyre pasi ato të publikohen. Ekspertja e mediave sociale, Laura Toogood tha se ky është një hap i rëndësishëm për Twitter. Ajo tha se kjo veçori do t’i inkurajojë njerëzit të qëndrojnë brenda vetë platformës, në vend që të lidhen me faqet e tjera të internetit që mund të marrin përmbajtje me format të gjatë.

Shtimi i kësaj veçorie shtesë do të thotë që Twitter tani është në një pozicion për të konkurruar me disa nga platformat e njohura të blogjeve dhe potencialisht të tërheqë audienca të reja dhe lloje të ndryshme përdoruesish.

Në vitin 2017, Twitter rriti numrin maksimal të karaktereve për tweet-et nga 140 në 280, pas një prove mes një grupi të vogël përdoruesish. Ndërkaq, miliarderi Elon Musk kërcënoi së fundmi me tërheqje të ofertës 44 miliardë dollarëshe për blerje të rrjetit social, Twitter, duke akuzuar drejtuesit e platformës për pengim të kërkesave të tij për të mësuar më shumë për përdoruesit e kompanisë. Musk ka thënë se Twitter ka refuzuar t’ia ofrojë të dhënat e nevojshme që do ta lehtësonin sipas tij vlerësimin e profileve të rreme apo të padëshirueshme.