Tech

Ngadalësim i iPhone-ave, Franca nis hetim mbi gjigantin amerikan të teknologjisë, Apple!

Franca është duke kryer një hetim mbi gjigantin amerikan të teknologjisë, Apple, për veprimet e supozuara që telefonat të ngadalësohen. Ankesa fillestare ishte kryer nga Grupi i Ndalimit të Vjetrimit të Planifikuar (HOP). Sipas HOP-së, Apple kryen praktika të njohura si “njehsim”, ku numrat serialë të komponentëve identifikohen nga pajisja bazë. Kjo ia lejon softuerit të iPhone-it që t’i njohë produktet jozyrtare që i zëvendësojnë ato zyrtare.

HOP-ja ka thënë se Apple i lidhte “numrat serialë të pjesëve që mund të zëvendësohen e të vendosen në strukturën bazë, përfshirë edhe mikroçipat, duke ia dhënë prodhuesit mundësinë për të kufizuar riparimet ose për ta degraduar në distancë telefonin”. Shoqata ka bërë thirrje që Apple të garantojë të drejtën që njerëzit t’i riparojnë ku të duan pajisjet.

Ankesa citon kryesisht shembullin e iPhone XR, që kushdo që ia ndërronte butonin kryesor, sa herë e bënte përditësimin nga iOS 15 në iOS 16, telefoni fikej. Ndërkaq, Apple nuk i ka komentuar hetimet. Apple edhe në të kaluarën është përballur me ankesa të tilla. Skandali pati shpërthyer më 2017, kur gjiganti amerikan pranoi se të gjitha sistemet e reja softuerike ngadalësojnë telefonat e vjetër bateritë e të cilëve “ishin lodhur”.

Së fundmi përdoruesit e iPhone kanë vërshuar në Twitter me ankesa për përditësimin më të fundit të iOS 16.4.1(a) ditët e fundit. Sipas përdoruesve, ky përditësim po shkatërron baterinë e telefonit dhe zvogëlon aftësinë e pajisjes për të mbajtur një ngarkesë “të shëndetshme” të baterisë. Një përdorues postoi në rrjetet sociale se bateria e iPhone-it të tij ishte degraduar me 22% në vetëm 46 minuta, ndërsa një tjetër vuri në dukje se ai humbi 30% të baterisë në gjysmë ore. Shumë të tjerë janë ankuar gjithashtu në lidhje me mbinxehjen e pajisjes.