Celebrities Music Showbiz

Një këngë e kthyer në hit të padiskutueshëm/David Guetta telefonon Bebe Rexhën gjatë koncertit kur fansat këndojnë njëzëri!

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka publikuar të premten bashkëpunimin e saj më të ri me DJ-in e famshëm, David Guetta. Dyshja kanë publikuar remiksin e këngës “Blue”, në një version të ri të titulluar “I’m Good”. Me t’u publikuar, kënga ka filluar të ngjitet me shpejtësi në krye të top listave në shumë vende të ndryshme të botës. Në një postim që artistja me origjinë shqiptare e ka rishpërndarë me ndjekësit në InstaStory, tregohet se si vetëm brenda ditës interesimi për të dëgjuar këngën ka qenë tejet i madh.

DJ me famë botërore, David Guetta, së fundmi në një nga paraqitjet në festivalin “Creamfields”, vendosi që të luante për mijëra pjesëmarrës këngën “I’m good (Blue)”. Me të parë entuziazmin e publikut dhe faktin se të gjithë e dinin përmendësh këngën e sapo publikuar, ai vendosi që ta telefonojë direkt artisten shqiptare, duke i dërguar një video nga skena.

Unë sapo telefonova Bebe Rexhën, unë dua që ajo ta shohë këtë me ju, këndojeni edhe një herë.

Në momentin që muzika ndalonte, publiku të gjithë njëherësh vazhdonin të këndonin tekstin e këngës e cila është shndërruar në hit. Edhe artistja me origjinë shqiptare me të parë këtë atmosferë, e ka shpërndarë në InstaStory videon në fjalë, duke iu gëzuar suksesit të këngës.

Këngëtarja pak ditë më parë publikoi një video në rrjetin social TikTok, ku kënga shoqëruese e videos ishte një demo e shkurtër e këngës “Blue”, që ajo dhe David Guetta nuk e përfunduan kurrë, pasi nuk e panë të arsyeshme. Por fansat kanë insistuar me ngulm që të kërkojnë publikimin e saj të plotë, pasi demoja në fjalë është bërë një prej këngëve më të kërkuara në aplikacionin Shazam. Dhe mesa duket aq donin dhe dy artistët. Bebe Rexha dhe David Guetta e publikuan ditën e djeshme projektin kaq të shumëpritur, “Blue”, që është ripërpunim i këngës së Eiffel 65.