Politikë Sociale

Nxënësit e “Mehmet Akif Ersoy” në protestë , Rama: Pronarët shitën godinën dhe spostuan aktivitetin pa marrë leje

Nxënësit e shkollës private “Mehmet Akif Ersoy” po vijojnë prej mëngjesit protestën këtë të hënë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që vendosi mbylljen e këtij institucioni arsimor, me arsyetimin se ka identifikuar një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi.

Nxënësit kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit për të kërkuar shfuqizimin e vendimit për mbylljen e shkollës.

Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në rrjetin social “Twitter”, shkruan se pronarët e shkollës private ndryshuan vendndodhjen e godinës pa marrë leje:

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”.

Sipas përfaqësuesve të institucionit ky veprim është i padrejtë, pasi shkolla prej dy dekadash, që nga viti 2004 vepron me cilësi dhe standardet më modern, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme nga kushdo.